Pas denoncimit të bërë nga Top Channel për një skandal në librin e gjeografisë në Maqedoninë e Veriut, ku Kosova ishte emëruar “Metohi” dhe i përkiste territorit të Serbisë, autoritetet e atjeshme kanë ndërmarrë veprime për të korrigjuar këtë situatë. Analistja Nafie Selmani e sheh këtë reagim si një fitore të përbashkët për opinionin publik dhe mediat.
Megjithatë, Selmani thekson se problemi nuk mbyllet këtu. Ajo evidenton se në faqen 15 të të njëjtit libër është ende e mohuar ekzistenca e afro 62 mijë shqiptarëve që jetojnë në atë rajon, duke e cilësuar këtë si një shtrembërim të rëndë faktik dhe politik. Kjo situatë, sipas saj, cënon jo vetëm vërtetësinë shkencore, por edhe identitetin e një popullsie të tërë.
“Rrafshi i Dukagjinit ishte më parë emërtuar si Metohi, por tani kemi një version të korrigjuar online. Ky reagim është arritur falë presionit të mediave dhe shoqërisë civile dhe për këtë jam falënderuese. Megjithatë, ngjarjet tregojnë se ky korrigjim i ri mbetet i papërshtatshëm dhe i pamjaftueshëm”, deklaroi Selmani.
Ajo kërkon një auditim të plotë të përmbajtjes së librit dhe ribotimin e tij sipas standardeve profesionale dhe historike, duke theksuar se nxënësit meritojnë materiale arsimore të sakta dhe të paangshtuara nga agjenda politike. “Ky proces nuk mund të përfundojë me një korrigjim gjysmak të versionit online, por kërkon një rishikim të plotë dhe të detajuar”, shtoi ajo.
Reagimi i analistes nënvizon se çështja do të ndiqet deri në përfundim, për t’u siguruar që nxënësit të kenë qasje në literatura që reflektojnë vërtetësinë historike dhe faktike. Kjo përbën një thirrje për një angazhim më të fortë nga autoritetet për të garantuar një arsim të cilësisë së lartë dhe të paanshëm.










