Kosova nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim 0-0 ndaj Izraelit në “Fadil Vokrri”, në një ndeshje ku dardanët krijuan më shumë, por nuk gjetën golin.
Skuadra e Franco Fodës e nisi mirë takimin dhe ushtroi presion që në pjesën e parë. Kosova regjistroi disa raste të rrezikshme, ndërsa mundësia më e mirë erdhi në fundin e 45 minutave të para, kur Lindrit Kamberi goditi traversën me kokë.
Edon Zhegrova dhe Milot Rashica ishin gjithashtu aktivë në repartin ofensiv, por pa arritur të çanin mbrojtjen izraelite.
Situata u komplikua në minutën e 67-të, kur Veldin Hoxha mori kartonin e dytë të verdhë dhe e la Kosovën me dhjetë lojtarë.
Edhe në inferioritet numerik, dardanët vazhduan të kërkonin golin, me Fodën që aktivizoi Fisnik Asllanin dhe Baton Zabërgjën për të shtuar forcën në sulm.
Megjithatë, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Ky ishte barazimi i dytë pa gola mes Kosovës dhe Izraelit në këtë edicion, pasi edhe përballja e parë në Debrecen ishte mbyllur 0-0.
Me këtë pikë, Kosova shkon në kuotën e 6 pikëve, ndërsa Izraeli në 3.
Tashmë gjithçka do të vendoset më 17 nëntor në Dublin, ku Kosova do të përballet me Irlandën në një sfidë vendimtare për vendin e dytë dhe një mundësi për të siguruar play-off-in e ngjitjes në Ligën A.











