Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, nuk do të shkarkohet pas humbjes 1–2 ndaj Manchester City-t. Lajmi është konfirmuar nga disa burime të rëndësishme në Spanjë të mërkurën në mbrëmje.
Sipas Marca, pavarësisht rezultatit negativ, Xabi Alonso “ka fituar pak kohë”. Kjo falë faktit se Real Madridi zhvilloi një ndeshje të fortë dhe tregoi reagim të vërtetë kundër kampionëve të Anglisë.
Pas bilbilit final në “Santiago Bernabéu”, Los Blancos u gjendën përballë një rezultati zhgënjyes 1–2, vetëm pak ditë pasi humbën 0–2 ndaj Celta Vigos. Forma e dobët – vetëm dy fitore në tetë ndeshjet e fundit – kishte bërë që të përhapeshin spekulime të forta mbi një shkarkim të menjëhershëm.
Megjithatë, duke parë dëshirën dhe qëndrueshmërinë e skuadrës kundër Man City-t, si dhe krizën e thellë të dëmtimeve që ka goditur ekipin, drejtuesit e klubit kanë vendosur t’i japin ish-mesfushorit pak më shumë kohë për të përmbysur situatën.
Xabi Alonso mbetet në stol — të paktën për momentin — ndërsa presioni mbi të mbetet i lartë dhe ndeshjet e radhës do të jenë vendimtare për të ardhmen e tij.










