Shqipëria shënon një tjetër moment historik në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian.
Sot, më 17 nëntor, në Bruksel do të hapet grupkapitulli i fundit i negociatave gjatë Konferencës së 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, duke përmbyllur hapjen e të gjithë kapitujve negociues brenda një periudhe rekord prej vetëm 12 muajsh.
-Grupkapitulli V përfshin pesë kapituj thelbësorë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, me ndikimin më të drejtpërdrejtë tek prodhimi, konkurrueshmëria dhe zhvillimi i balancuar i territorit:
“Bujqësia dhe Zhvillimi Rural” (kapitulli 11);
“Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare”, (kapitulli 12);
“Peshkimi” (kapitulli 13);
“Politika rajonale dhe koordinimi i instrumentave strukturore” (kapitulli 22), si dhe
“Dispozitat Financiare dhe Buxhetore (kapitulli 33).
Përmes këtij Grupkapitulli, Shqipëria përfiton lidhur me modernizimin e bujqësisë, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe dixhitalizimin e zinxhirit ushqimor. Një vend të veçantë zë forcimi i mekanizmave të kontrollit të sigurisë ushqimore dhe përafrimi me standardet e BE-së, ndërsa sektori i peshkimit dhe akuakulturës synon të përfitojë nga rregullat dhe programet europiane për menaxhim të qëndrueshëm.










