Jürgen Klopp është shumë pranë rikthimit si trajner, këtë herë në krye të kombëtares gjermane.
Sipas Fabrizio Romano, trajneri legjendar ka arritur marrëveshje parimore për të marrë drejtimin e Gjermanisë dhe pritet të zyrtarizohet së shpejti si pasuesi i Julian Nagelsmann.
Palët kanë rënë dakord për bazën e marrëveshjes, ndërsa aktualisht po diskutohen detajet e kontratës afatgjatë dhe kushtet e largimit të Klopp nga grupi futbollistik Red Bull, ku ai mban një rol drejtues.
Zyrtarizimi pritet të vijë sapo të përfundojnë procedurat ligjore që lidhen me shkëputjen e tij nga Red Bull.
Rikthimi i Klopp në stol shihet si fillimi i një epoke të re për kombëtaren gjermane, e cila kërkon të rikthehet mes fuqive kryesore të futbollit botëror pas një periudhe të vështirë.
Për Gjermaninë, ky do të ishte një emër i madh në momentin e duhur: një trajner me eksperiencë, karizëm dhe aftësi për të rindërtuar një skuadër që ka nevojë për energji dhe identitet të ri.











