Gjatë fjalës së mbajtur në Sukth, kryedemokrati Sali Berisha denoncoi faktin se, kontrollin e portit të Durrësit nga familjet Troplin dhe marrjen e portit të peshkatarëve nga Gjergj Luca që sipas tij, është në kërkim nga disa shtete për trafik droge.
Berisha e solli këtë si shembull të shkatërrimit të shtetit dhe të vjedhjes së pasurive publike, duke argumentuar se investimet nuk shërbejnë për popullin, por për llogaritë e individëve të lidhur me krimin e organizuar.
Ai e lidhi këtë fenomen me krizën ekonomike dhe shpopullimin e vendit, duke paralajmëruar një rrezik serioz për të ardhmen e Shqipërisë.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur miq, ne jemi sot në një situatë më kritike se asnjë herë tjetër.
E keqja më e madhe e njeriut, për njeriun dhe shoqërinë, është ajo e cila gradualisht pushton qenien tënde apo pushton shoqërinë.
Dhe e vërteta është se këto 12 vite, po bëhet viti i 13, në një aspekt, shqiptarët dhe Shqipëria nuk kanë pasur kurrë një të keqe si kjo, në kuptimin, nuk po të them të shfarosjes, por në kuptimin e zbrazjes, boshatisjes së këtij vendi të bekuar më shumë se në çdo kohë tjetër që nga vitet 1300, vitet e Murtajës së Zezë, që përgjysmuan Europën.
Miq, ne vijmë sot si një komb pa të ardhme.
Realisht, nuk ka të ardhme kombi që mplaket me shpejtësi të madhe. Nuk ka të ardhme kombi që humbet rininë me shpejtësi të rrufeshme. Unë do t’u jap vetëm dy shifra. Nga viti 1990 gjer sot, lindjet në Shqipëri janë ulur 74 përqind. Në një gjeneratë pra.
Nga viti 2014 deri në vitin 2023, në 10 vite, nga Sukthi, Durrësi, Tirana, Shqipëria, u larguan vetëm në hapësirën e Shengenit 1 milionë e 100 mijë shqiptarë.
Në qoftë se shtojmë ata që shkuan në Kanada, Meksikë, SHBA, vende të tjera, bëhet më shumë se 45 përqind e popullsisë.
Nga këta u larguan për në BE, 720 mijë janë të moshës ndën 40 vjeç.
Çfarë ndodh? Pse kjo braktisje dhe boshatisje masive?
Kjo nuk ndodh kurrë pa shkaqe.










