Ish-ylli brazilian Ricardo Kaká ka vlerësuar në maksimum formën e Luka Modricit te Milani, duke e cilësuar kroatin një “forcë të natyrës” dhe duke theksuar se ai mund të vazhdojë të luajë në nivel të lartë edhe për disa vite të tjera. Në të njëjtën intervistë, Kaká foli edhe për rëndësinë e Carlo Ancelottit në stolin e Brazilit.
Për vite me radhë, Kaká ishte simbol i elegancës dhe futbollit spektakolar, sidomos me fanellën e Milanit, ku kaloi shtatë sezone të paharrueshme. Sot, në moshën 43-vjeçare, ai e sheh futbollin nga një kënd tjetër: ka studiuar menaxhim sportiv në Harvard, ka marrë pjesë në programe të FIFA-s dhe UEFA-s, ka ndjekur kurse trajneri në Brazil dhe nuk e fsheh dëshirën për t’u rikthyer një ditë në stol — ndoshta edhe te Milani.
Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, Kaká komentoi futbollin ndërkombëtar, Botërorin e ardhshëm dhe ndaloi veçanërisht te forma mbresëlënëse e Luka Modricit (40 vjeç), të cilin e njeh nga koha kur luanin bashkë te Real Madridi.
Kaká: “Modric është fantastik”
Kaká u shpreh me admirim për kroatin:
“Lukita është një forcë e natyrës. Është fantastike të shohësh çfarë po bën, për entuziazmin, lidershipin dhe, sigurisht, teknikën. Kam luajtur me të te Reali dhe e njoh mentalitetin e tij.”
Ai shtoi se, edhe pse është normale që një futbollist të humbasë pak nga uria pas kaq shumë trofesh, Modric vazhdon të jetë i etur për të fituar:
“Është e pabesueshme: ai ende ka uri, i shtyn shokët e skuadrës, lufton gjithmonë dhe ka energji e personalitet.”
Sipas Kakás, ndikimi i Modricit te Milani është i rëndësishëm jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje, ndërsa prania e tij i bën mirë edhe vetë futbollit italian.
“Serie A mbetet shumë konkurruese”
Duke folur për kampionatin italian, Kaká pranoi se Serie A nuk ka më të njëjtin status si dikur, por e konsideron ende një ligë shumë të fortë dhe tërheqëse:
“Dikur ishte kampionati më i rëndësishëm në botë, ndërsa tani është Premier League. Por Serie A mbetet shumë konkurruese dhe argëtuese. Dhe derbi i Milanit është një nga ndeshjet më të bukura për t’u luajtur dhe për t’u parë.”
Sa mund të luajë ende Modric?
Kaká dha edhe një analizë optimiste për të ardhmen e Modricit, duke theksuar rolin e shkencës sportive në zgjatjen e karrierës së atletëve:
“Shkenca i ndihmon shumë sportistët sot: ua zgjat karrierën dhe ua përmirëson rikuperimin. Duke parë rëndësinë e Lukës për skuadrën, ai mund të vazhdojë edhe dy ose tre vite të tjera. Pastaj ka faktorë si familja, dëshira për t’u kthyer në shtëpi… por nga ajo që shoh në fushë, ai mund të luajë edhe për shumë kohë pa probleme.”
“Ancelotti është njeriu ideal për Brazilin”
Kaká foli edhe për Botërorin e ardhshëm dhe për Carlo Ancelottin si trajner të Brazilit, duke shprehur besim të plotë:
“Ancelotti është personi ideal për Brazilin në këtë moment. Brazili, për historinë që ka, konsiderohet gjithmonë favorit. Ndoshta jo ndër tre kryesorët, por është një skuadër e mirë, dhe Carlo është Carlo. Kam besim tek ata.”
Ai shtoi se një turne i mirë i Brazilit do të ishte shumë i rëndësishëm për vendin, sidomos pas zhgënjimeve të fundit.











