Pas rinovimit të kontratës me Kenan Yıldız deri në vitin 2030, Juventus ka kthyer fokusin te zyrtarizimi i marrëveshjes me mesfushorin amerikan Weston McKennie, kontrata aktuale e të cilit skadon në qershor.
Bardhezinjtë po kalojnë një moment të vështirë, me tri humbje radhazi në kampionat dhe në UEFA Champions League, ndaj sigurimi i lojtarëve kyç për të ardhmen konsiderohet prioritet.
Negociatat për rinovimin e McKennie-t janë në fazën përfundimtare dhe nënshkrimi pritet të vijë në fillim të javës së ardhshme, pas sfidës me Galatasaray dhe udhëtimit në Romë.
Kontrata e re do ta lidhë mesfushorin me klubin deri në vitin 2030, me një pagë mbi 4 milionë euro në sezon, përfshirë bonuset. Ky hap konfirmon rolin e tij të rëndësishëm në projektin afatgjatë të Juventusit.
McKennie iu bashkua Juventusit në vitin 2020 nga Schalke 04, si një investim me potencial të madh.
Në vitin 2023 ai u huazua te Leeds United, duke nxitur spekulime për një largim përfundimtar. Megjithatë, pas rikthimit në Torino dhe nën drejtimin e Massimiliano Allegri, amerikani rifitoi formën dhe një rol të qartë në skuadër.
Tashmë, nën drejtimin e Luciano Spalletti, McKennie është një nga lojtarët më të aktivizuar të ekipit, i dyti për minuta pas kapitenit Manuel Locatelli.
Ai ka regjistruar 7 gola dhe 7 asistime në të gjitha garat, duke dëshmuar rëndësinë e tij si në aspektin teknik ashtu edhe në atë karakterial.
Rinovimi i pritshëm përfaqëson një sinjal të qartë besimi nga klubi dhe një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të skuadrës në këtë periudhë sfiduese.











