Lideri më i njohur dhe potencialisht më unifikues palestinez, Marwan Barghouti, nuk është përfshirë në listën e të burgosurve që Izraeli synon të lirojë në këmbim të pengjeve. 66-vjeçari është figurë udhëheqëse e Fatahut, rivalit kryesor politik të Hamasit, dhe shihet gjerësisht si pasues i mundshëm i presidentit Mahmoud Abbas, që drejton Autoritetin Palestinez në Bregun Perëndimor.
Zyrtari i lartë i Hamasit, Mousa Abu Marzouk, deklaroi për Al Jazeera se lëvizja këmbëngul për lirimin e Barghoutit, por Izraeli e konsideron atë si terrorist. Sipas disa ekspertëve, frika e Izraelit ndaj Barghoutit lidhet me faktin se ai është një mbështetës i zgjidhjes me dy shtete, edhe pse ka përkrahur rezistencën e armatosur ndaj pushtimit, çka e bën një figurë të fuqishme mobilizuese për palestinezët.
Kur shpërtheu Intifada e Dytë në vitin 2000, ai përfaqësonte një balancë mes rezistencës dhe negociatave. “Ne provuam shtatë vjet Intifadë pa negociata dhe shtatë vjet negociata pa Intifadë. Ndoshta është koha t’i provojmë të dyja,” deklaroi ai.
Përfshirja e tij e dyshuar në një sulm në Tel Aviv në 2002, ku u vranë tre persona, e bëri atë objektiv të ushtrisë izraelite. U arrestua gjatë Operacionit “Mburoja Mbrojtëse” në Ramallah dhe në vitin 2004 u dënua me pesë burgime të përjetshme plus 40 vjet. Ai refuzoi të njihte gjykatën, duke thënë se po gjykohej “për lirinë e një populli”.
“Mandela i Palestinës” dhe uniteti kombëtar
Nofka “Mandela palestinez” nuk është e rastësishme. Ajo lidhet me kohëzgjatjen e burgimit dhe me ndikimin politik të Barghoutit. Në vitin 2006, ai hartoi nga burgu “Dokumentin e të Burgosurve”, të nënshkruar nga përfaqësues të Fatahut, Hamasit dhe Xhihadit Islamik, duke bërë thirrje për pajtim kombëtar dhe zgjidhje me dy shtete.
Sipas analistëve, ai është një nga të paktët liderë palestinezë që mund të kapërcejë ndarjet partiake. Hamasi, i vetëdijshëm për mungesën e legjitimitetit ndërkombëtar, e sheh Barghoutin si figurë unifikuese dhe potencialisht të pranueshme për drejtimin e Gazës së pasluftës.










