Izraeli po përballet me një nga zjarret më shkatërruese në historinë e tij, pasi zjarri që shpërtheu të mërkurën në mëngjes pranë Mesilat Zion, jashtë Jerusalemit, ka dalë jashtë kontrollit, duke shkaktuar evakuime masive, ndërprerje të trafikut, lëndime dhe mobilizim ndërkombëtar.
Kreu i Departamentit të Zjarrfikësve të Qarkut të Jerusalemit, Shmulik Friedma , deklaroi: “Jemi në mes të një zjarri jashtëzakonisht të madh, ndoshta më i madhi i regjistruar ndonjëherë në vend. Jemi shumë larg kontrollit të situatës”.
Sipas tij, zjarri që filloi në orën 9:30 të mëngjesit fillimisht u zhvendos në perëndim për shkak të erërave, por tani po lëviz përsëri në lindje.
Parashikimet e motit tregojnë një përkeqësim në orët e mbrëmjes, me erëra që mund të arrijnë 90-100 km/orë , gjë që krijon shqetësim të madh për përhapje të mëtejshme të zjarrit.
Disa të plagosur, midis tyre dy foshnje dhe dy gra shtatzëna
Autoritetet njoftuan se të paktën 13 persona janë shtruar në spital për shkak të thithjes së tymit dhe djegieve. Midis tyre janë dy foshnje, njëra vetëm një muajshe dhe tjetra rreth gjashtë muajshe, si dhe dy gra shtatzëna. Dhjetë të plagosur të tjerë morën ndihmë mjekësore në vend pas pasur nevojë për shtrim në spital.
Ekipet e shpëtimit u thirrën gjithashtu për të evakuuar pacientët e cenueshëm dhe të moshuarit që nuk mund të lëviznin vetë, duke përdorur ambulanca dhe njësi të lëvizshme të kujdesit intensiv.
Ministri i Jashtëm Gideon Saar ka kontaktuar tashmë homologët e tij nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Suedia, Republika Çeke, Spanja, Argjentina, Maqedonia e Veriut dhe Azerbajxhani, ndërsa Ministria e Jashtme u është drejtuar zyrtarisht Greqisë, Qipros, Kroacisë, Italisë dhe Bullgarisë për të dërguar pajisje ajrore për shuarjen e zjarreve.
Sipas një njoftimi të përbashkët nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Sigurisë Kombëtare dhe Ministria e Punëve të Jashtme, ekipet ndërkombëtare të zjarrfikësve pritet të veprojnë nga e enjtja, pasi kufizimet e fluturimit gjatë natës e bëjnë të pamundur operimin e avionëve të zjarrfikësve.
Autoriteti Palestinez gjithashtu ka ofruar ndihmë, por Izraeli ende nuk është përgjigjur.
Aktualisht, janë në operim avionë nga skuadroni ajror izraelit i zjarrfikësve Elad, helikopterë policie dhe njësi të Forcave Ajrore në gatishmëri të menjëhershme.
Në të njëjtën kohë, shërbimi i sigurisë së brendshme Shin Bet ka marrë përsipër një pjesë të hetimit për shkaqet e zjarrit, pasi ka dyshime se disa nga frontet mund të jenë për shkak të zjarrvënies së qëllimshme.