Izraeli ka identifikuar dhe marrë nga Rripi i Gazës edhe eshtrat e pengut të fundit, njoftoi sot ushtria izraelite.
Ky zhvillim përmbush një kusht kyç për kalimin në fazën e dytë të planit të paqes për Gazën, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe i nënshkruar në tetor.
”Përfaqësues të ushtrisë kanë njoftuar familjen e pengut të ndjerë, rreshterit të klasit të parë Ran Gvili, se i afërmi i tyre është identifikuar dhe do të kthehet për t’u varrosur”, thuhet në një postim të ushtrisë në Telegram.
Sipas njoftimit, Gvili ”ra në luftime në mëngjesin e 7 tetorit 2023 dhe trupi i tij u rrëmbye dhe u dërgua në Rripin e Gazës”.
”Me këtë, të gjithë pengjet janë kthyer nga Rripi i Gazës në shtetin e Izraelit”, thuhet më tej në deklaratën e ushtrisë.
Më herët këtë muaj, i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff deklaroi se plani i paqes po hynte në fazën e dytë.
Objektivat kryesore të fazës së dytë janë çarmatimi i grupit ekstremist palestinez Hamas, krijimi i një qeverie teknokrate dhe nisja e rindërtimit të Gazës, pasi territori bregdetar palestinez pësoi shkatërrime të mëdha gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit.











