Andoni Iraola po përgatit një Liverpool të ndërtuar rreth Florian Wirtz, i cili pritet të jetë figura kryesore e projektit të ri në “Anfield”.
Mesfushori gjerman u transferua verën e kaluar nga Bayer Leverkuseni për 125 milionë euro, por sezoni i tij i parë në Angli nuk ishte në nivelin e pritshmërive. Në 49 ndeshje, ai regjistroi shtatë gola dhe dhjetë asistime.
Iraola beson se 23-vjeçari mund të rikthehet në formën më të mirë duke luajtur si mesfushor ofensiv, pas sulmuesit, dhe jo në krahun e majtë.
“Florian është një lojtar shumë i kompletuar. E shoh më shumë pas sulmuesit dhe do të fillojmë të punojmë me të në atë pozicion”, deklaroi trajneri spanjoll.
Pas largimit të Mohamed Salah, Wirtz pritet të ketë më shumë hapësirë dhe përgjegjësi në fazën sulmuese. Iraola dëshiron t’i japë atij drejtimin e skuadrës, me objektivin për ta rikthyer Liverpoolin në garën për titullin e Premier League.










