Pjesëmarrja e Iranit në Botërorin 2026 është vënë në dyshim, vetëm 28 ditë para nisjes së turneut.
Sipas RMC Sport, presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, ka shprehur shqetësim të madh, pasi asnjë pjesëtar i kombëtares nuk ka marrë ende vizë amerikane.
Situata është bërë edhe më e ndërlikuar për shkak të tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe mungesës së marrëdhënieve diplomatike mes Tehran dhe Washington që prej vitit 1980.
Kreu i federatës iraniane ka paralajmëruar një takim vendimtar me FIFA në ditët në vijim, ku do të kërkojë garanci për zgjidhjen e problemit të vizave.
Edhe pse presidenti i FIFA, Gianni Infantino, ka siguruar se Irani do t’i luajë ndeshjet në SHBA sipas kalendarit, deri tani nuk ka pasur progres konkret për pajisjen e skuadrës me dokumentet e nevojshme.
Kombëtarja iraniane pritet të udhëtojë të hënën drejt Ankara, ku lojtarët do të kryejnë procedurat e gjurmëve të gishtave dhe do të nisin fazën përgatitore para turneut.











