Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin se sulmet kibernetike dhe dezinformimi përbëjnë një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen sot demokracitë, duke sjellë si shembull edhe rastin e Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Rama tha se vendi është përballur jo vetëm me sulme kibernetike, por edhe me fushata të organizuara dezinformimi, të cilat sipas tij kanë ndikuar në perceptimin publik për çështje të ndryshme.
“Sulmet kibernetike janë një problem madhor, me të cilin është përballur edhe Shqipëria. Kishte edhe dezinformata. U tha se do të ketë masakër mjedisore, u tha se ka korrupsion madhor, pa u provuar kjo gjë”, u shpreh kryeministri.
Duke iu referuar reagimeve të krijuara nga informacionet e pakonfirmuara, Rama theksoi se indinjata e nxitur nga dezinformimi ka prodhuar një numër të madh qytetarësh të pakënaqur, ndërsa nënvizoi se ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm në Shqipëri.
“Indinjata nga dezinformimi krijoi mijëra të pakënaqur. Ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar, por edhe europian e botëror. Por ata që bëjnë linçime digjitale, do të humbasin herët a vonë”, deklaroi Rama.
Sipas tij, përhapja e informacionit të rremë dhe gjykimet e parakohshme përbëjnë një sfidë në rritje për demokracitë, të cilat duhet të gjejnë mënyra për të mbrojtur dallimin mes fakteve dhe manipulimit në epokën digjitale.










