Interi është rikthyer në stërvitje në Appiano Gentile pas humbjes në derbin ndaj Milanit, por lajmet nga infermieria nuk janë aspak të mira për skuadrën zikaltër.
Mesfushori turk Hakan Calhanoglu nuk ishte në gjendje të luante në derbi dhe qëndroi në stol për 90 minuta. Pas kontrolleve mjekësore, u konfirmua se ai ka një shqetësim të lehtë në aduktorin e kofshës së djathtë, një dëmtim që do ta detyrojë të mungojë në ndeshjen e së shtunës ndaj Atalantës.
Pas ndeshjes, trajneri Cristian Chivu kishte dhënë një shpjegim të shkurtër për mungesën e tij: “Calha nuk ishte mirë”, duke lënë të kuptohej se mesfushori kishte probleme fizike që para takimit.
Ndërkohë, situata e Alessandro Bastonit duket më pak shqetësuese. Mbrojtësi italian doli i dëmtuar nga derbi dhe vazhdon të çalojë për shkak të dhimbjes në tibie pas një përplasjeje me Rabiot. Megjithatë, ekzaminimet kanë përjashtuar çdo lloj frakture apo dëmtimi serioz dhe problemi është klasifikuar si një kontuzion i fortë.
Te Interi shpresojnë që dhimbja të kalojë shpejt, në mënyrë që Bastoni të rikthehet në stërvitje dhe të jetë i gatshëm për sfidën e rëndësishme ndaj Atalantës.











