Në një takim të zhvilluar këtë të premte pasdite me departamentin e energjisë, ekspertë dhe demokratë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi rëndësinë e zhvillimit të një infrastrukture moderne dhe të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Infrastruktura moderne është prioriteti ynë! Rama na i mbylli dyert, por integrimi në BE mbetet ylli ynë polar”, u shpreh Berisha, duke nënvizuar përgjegjësinë e qeverisë aktuale për situatën infrastrukturore.
Ai shtoi se qytetarët kërkojnë përgjigje dhe se Partia Demokratike do të përcaktojë përparësitë dhe ndërhyrjet e nevojshme. Mes projekteve prioritet, Berisha theksoi rëndësinë e transportit hekurudhor me Kosovën, duke përmendur linjën Durrës-Prishtinë:
“Hekurudha Durrës-Prishtinë si ide ishte ide e Austro-Hungarisë, por si përpjekje është një përpjekje e jonë. Njëlloj si abetaren, ai tani zotohet se do të inaugurojë botimin e abetares së parë.”
Berisha kritikoi qeverinë aktuale për ndërhyrjet e pamjaftueshme në rrjetin rrugor dhe theksoi nevojën për zhvillimin e rrjetit hekurudhor dhe rrugor në mënyrë që të përmbushë standardet evropiane:
“Është jetike që të përgatisim, të zhvillojmë rrjetin rrugor më të mirë që ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Hekurudha jonë duhet të jetë një faktor i rëndësishëm integrimi me hekurudhën evropiane dhe BE-në.”
Ai theksoi gjithashtu koston e ndërtimit të infrastrukturës, duke bërë krahasime me projektet në Greqi:
“Greqia po ndërton hekurudhën Janinë-Kakavijë 4 milionë euro kilometri… Këtu 20 milionë. Infrastrukturë moderne mbetet kushti themelor i zhvillimit të këtij vendi dhe ne i qëndrojmë plotësisht.











