India ka vendosur që të gjithë telefonat e rinj të pajisen detyrimisht me një aplikacion shtetëror për sigurinë kibernetike, i cili nuk mund të çinstalohet.
Vendimi, i njoftuar javën e kaluar dhe i bërë publik të hënën, kërkon që brenda 90 ditëve prodhuesit e smartphone-ve të integrojnë aplikacionin Sanchar Saathi në çdo pajisje të re.
Qeveria indiane argumenton se ky hap është i nevojshëm për të verifikuar autenticitetin e telefonave dhe për të lehtësuar raportimin e aktiviteteve të dyshimta në fushën e telekomunikacionit.
Megjithatë, ekspertët e sigurisë kibernetike shprehin shqetësime për cenimin e privatësisë, pasi aplikacioni kërkon një sërë lejesh të ndjeshme.
Sanchar Saathi, i lansuar në janar, u mundëson përdoruesve të kontrollojnë kodin IMEI të pajisjes, të raportojnë telefonat e humbur apo të vjedhur dhe të sinjalizojnë komunikimet mashtruese.
IMEI është një numër unik 15-shifror që identifikon një pajisje në rrjetet celulare.
Drejtoria e Telekomunikacioneve të Indisë ka theksuar se pajisjet me IMEI të dyfishtë ose të manipuluar përbëjnë një rrezik serioz për sigurinë kibernetike.
Sipas autoriteteve, aplikacioni ka ndihmuar tashmë në rikuperimin e mbi 700 mijë telefonave të humbur, por kërkesat e gjera për leje kanë ngritur frikën se mund të përdoret për mbikëqyrje dhe mbledhje të tepërt të të dhënave personale.
Analisti i teknologjisë Prasanto K Roy thekson se çështja kryesore lidhet me nivelin e aksesit që aplikacioni mund të ketë në pajisjen e përdoruesit.
Ndërkohë, kompani ndërkombëtare si Apple kanë paralajmëruar vështirësi në zbatimin e rregullit, pasi politikat e tyre nuk lejojnë instalimin e aplikaicioneve qeveritare në pajisje përpara shitjes.
India nuk është e vetme në këtë drejtim. Në gusht, edhe Rusia miratoi një kërkesë të ngjashme për instalimin e aplikacionit MAX messenger.
Këto masa kanë ringjallur debatet globale mbi privatësinë dhe mbikëqyrjen në epokën digjitale.











