Një aksion i përbashkët i Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës është shoqëruar me një incident ditën e sotme. Katër qytetarë, të cilët kundërshtonin ndërhyrjen e autoriteteve në biznese, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj drejtorit të IMT-së dhe inspektorit përgjegjës.
Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Vlorës. Pas konstatimit të përplasjejes fizike, në vendngjarje kanë ndërhyrë efektivët e Policisë Rrugore për të neutralizuar situatën. Gjatë ndërhyrjes, një prej punonjësve të policisë është goditur me grushta nga disa persona, duke u detyruar të nxjerrë armën e shërbimit dhe të qëllojë në ajër.
Në vijim, janë njoftuar forcat speciale “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar në komisariat personat e përfshirë në konflikt për veprime të mëtejshme procedurale.









