Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili mbrëmjen e së dielës u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës, pasi mbeti i plagosur gjatë përplasjeve me policinë, ka reaguar në rrjetet sociale.
Teksa ka publikuar një foto nga shtrati i spitalit ku dhe ndodhej prej orësh, Lapaj nuk bën prapa duke theksuar se nuk do të tërhiqet nga qëndresa e tij dhe do të vijojë të qëndrojë poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama.
“Medalja e tretë në 1 muaj nga regjimi Edi Ramës! Më kanë kallëzuar penalisht sërish. Edhe unë do i kallëzoj kësaj here. Hajdutët nuk më trembin dot. Te sheshi më kanë pasi të dal nga spitali”, shkruan Lapaj.
Kujtojmë se pak pas mesnatës forca të shumta policie zbarkuan para ambienteve të Kryeministrisë aty ku Lapaj së bashku me mbështetësit e tij prej 28 ditësh po qëndronin. Efektivët morën me forcë karriget që aktivistët e “Shqipëria Bëhet” kishin vendosur, ndërkohë që gjatë këtyre përplasjeve i plagosur mbeti Lapaj.
Kreut të “Shqipëria Bëhet” i ra mbi kokë njëra nga bombolat e gazit të cilën e përdornin për t’u ngrohur. Pamjet e ardhura nga vendi i ngjarjes ishin të rënda, ku njëra prej mbështetësve të tij bërtiste me të madhe: “Sillni ambulancën”, ndërkohë që Lapaj ndodhej i shtrirë në trotuar.










