Ish-ministrja e Jashtme dhe deputetja e PS, Elisa Spiropali dy ditë më parë bëri një deklaratë, ku kërkoi një vetëpastrim të Partisë Socialiste, “pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe”, siç i shpreh ajo.
Por menjëherë pas kësaj deklarata, Spiropali u sulmua nga kryetarja e PS në Shkodër, Mirela Dodaj, e cila ka thënë se “Nëse vërtet duhet të nisë një proces vetëpastrimi në Partinë Socialiste, atëherë do të ishte e ndershme të fillonte nga ju, Elisa Spiropali”.
Por sot, Spiropali ka zgjedhur që t’i përgjigjet përmes një poezie të Anna Akhmatova.
“Kur t’ju merren mend’ e t’ju përzihet nga fletë-rrufetë, sulmet banale, monitorimi digjital e operacional, kontrolli algoritmik, konspiracionet halucinante, gjuha e shthurur, lexoni këtë kryevepër të Anna Ahmatovës”, shkruan Spiropali.
Postimi i Elisa Spiropalit
Mirëmëngjes☀️
Kur t’ju merren mënd’ e t’ju përzihet nga fletë-rrufetë, sulmet banale, monitorimi digjital e operacional, kontrolli algoritmik, konspiracionet halucinante, gjuha e shthurur, lexoni këtë kryevepër të Anna Ahmatovës, që lindi si sot, më 1889.
Kaq shumë gurë hodhën përmbi mua
Sa sot asnjë prej tyre s’më frigon,
Me ta një kullë e hijshme u ndërtua,
M’e lartë se çdo kullë ajo qëndron.
Ndërtuesit e saj falënderoj,
Paçka se e ndërtuan me nxitim.
Prej saj më shpejt agimin e shijoj
Dhe diellin kqyr me gjatë në perëndim.
Dhe në dritaren time ditë për ditë,
Fryn erë deti, më flladit.
Në dorën time pëllumbi vjen e çukit,
E në mos mund të shkruaj më diçka,
Një ditë të perëndishme krahëlehtë,
Pres të vijë Muza, për ta shkruar vetë.











