Në periudhën më të vështirë dhe të trazuar të jetës së tij, piktori post-impresionist u mbështet nga një shpirt i papritur binjak: Joseph Roulin, një postier në Arle. Një ekspozitë e re eksploron këtë miqësi të ngushtë dhe ndikimin në historinë e artit.
Më 23 dhjetor 1888, ditën kur Vincent van Gogh preu veshin e tij dhe ia dhuroi një punonjëseje seksi, për të u kujdes një mik i papritur: postieri Joseph Roulin.
Si një figurë e rrallë stabiliteti, gjatë dy viteve të trazuara psikike të Van Goghut në Arle, në jug të Francës, Roulin siguroi që ai të merrte kujdes në një spital psikiatrik dhe e vizitonte ndërsa ishte atje, duke i shkruar vëllait të artistit, Theo, për ta informuar mbi gjendjen e tij.
Ai pagoi qiranë e Van Goghut gjatë trajtimit dhe kaloi gjithë ditën me të kur u lirua dy javë më vonë. “Roulin … ka një qetësi të heshtur dhe një butësi për mua, ashtu siç mund të kishte një ushtar i vjetër për një të ri”, i shkruante Van Goghu, Theos, në prillin pasardhës, duke e përshkruar Roulinin si “një shpirt kaq të mirë, kaq të mençur dhe kaq të ndjeshëm”.

Për të nderuar këtë marrëdhënie prekëse, ekspozita Van Gogu: Portretet e familjes Roulin [Van Gogh: The Roulin Family Portraits] do të hapet në Muzeun e Arteve të Bukura në Boston të ShBA-së, më 30 mars, përpara se të zhvendoset në Muzeun “Van Gogh” në Amsterdam në tetor. Kjo është ekspozita e parë dedikuar portreteve të të pesë anëtarëve të familjes Roulin. Ajo përmban më shumë se 20 piktura të Van Goghut, së bashku me veprat e artistëve që ndikuan tek ai, përfshirë mjeshtrit holandezë të shekullit XVII, Rembrandt dhe Frans Hals, si dhe artistin francez Paul Gauguin i cili jetoi për dy muaj me Van Goghun në Arle.
“Ajo që dëshiroja më shumë me këtë ekspozitë është të tregoj një histori njerëzore”, thotë bashkëkuratorja Katie Hanson për BBC-në. “Ekspozita thekson faktin që Roulini nuk ishte thjesht një model për të – ai ishte dikush me të cilin zhvilloi një lidhje shumë të thellë miqësie”. Marrëdhënia e trazuar e Van Goghut me Gauguinin dhe përplasja mes tyre, që ndoshta çoi në incidentin e veshit, shpesh ka dominuar narrativën rreth tij. Megjithatë, Roulini i ofroi diçka më të qëndrueshme dhe të thjeshtë. Kjo është e dukshme në portretet e tij – sinqeriteti i hapur me të cilin ai i kthen shikimin Van Goghut dhe respekti e dashamirësia e ndërsjellë që rrezatojnë nga telajoja.
Van Goghu shkoi nga Parisi në Arle, në shkurt të vitit 1888, duke besuar se drita më e ndritshme dhe ngjyrat më intensive do të përmirësonin artin e tij dhe se banorët e jugut kishin një pamje “më artistike”, duke qenë subjekte ideale për pikturat e tij. Hansoni thekson “hapjen e tij ndaj mundësive” në këtë periudhë dhe ndjenjën e tij, ende të njohur sot, të të qenit një fytyrë e re në një qytet të ri. “Nuk është e nevojshme që ta gjejmë rrugën tonë të jetës që në përpjekjen e parë; ne mund të jemi gjithashtu në kërkim të drejtimit tonë të ardhshëm, të vendit tonë të ardhshëm”, thotë ajo. Dhe, pikërisht me këtë mendim, Van Goghu, si një i ardhur me “një zemër të madhe”, mirëpriti lidhjet e reja në jetën e tij.

Para se të zhvendosej në shtëpinë e verdhë aty pranë – tashmë e njohur mirë brenda dhe jashtë – Van Goghu kishte marrë me qira një dhomë mbi Café de la Gare. Bari frekuentohej nga Joseph Roulin, i cili jetonte në të njëjtën rrugë dhe punonte në stacionin e afërt të trenit, duke mbikëqyrur ngarkimin dhe shkarkimin e postës. Duke ndjerë se forca e tij qëndronte te portretet, por duke pasur vështirësi të gjente njerëz që të pozonin për të, Van Goghu u entuziazmua kur postieri me karakter të veçantë – i cili shpenzonte një pjesë të madhe të të ardhurave të tij në kafene – pranoi të pozonte për të, duke kërkuar vetëm pagesë në ushqim dhe pije.
Midis gushtit 1888 dhe prillit 1889, Van Goghu krijoi gjashtë portrete të Roulinit, simbole të shoqërisë dhe shpresës, që bien në kontrast me motivet e vetmisë, dëshpërimit dhe fatit të errët që shfaqen në disa nga veprat e tjera të tij. Në secilin prej tyre, Roulini është i veshur me uniformën e tij të kaltër të punonjësit të postës, e zbukuruar me kopsa të arta dhe shirita, ndërsa fjala “postes” është e shënuar me krenari në kapele. Hunda e tij e gjerë dhe fytyra e skuqur, pasojë e viteve të konsumit të alkoolit, e bënë atë të jetë një muzë magjepsëse për piktorin, i cili e përshkruante atë si “njeri më interesant se shumë të tjerë”.

Roulin ishte vetëm 12 vjet më i madh se Van Goghu, por ai u bë një dritë udhëzuese dhe një figurë atërore për piktorin e vetmuar – për shkak të mjekrës së tij të dendur dhe mençurisë së tij të dukshme, Van Goghu e quajti atë Sokrat. I lindur në një familje të pasur, Van Goghu i përkiste një klase sociale krejtësisht të ndryshme nga Roulini, por e admironte “natyrën e tij të fortë fshatare” dhe qëndrueshmërinë e tij në kohë të vështira. Roulini ishte një republikan krenar dhe i zhurmshëm, dhe kur Van Goghu e pa duke kënduar Marsejezën [La Marseillaise], ai vuri re sa piktoreske ishte paraqitja e tij, “si diçka e dalë nga Delacroix, nga Daumieri”. Ai e shihte atë si mishërimin e shpirtit të punëtorit, duke përshkruar zërin e tij si “një jehonë të largët të borisë së Francës revolucionare”.
Miqësia së shpejti i hapi rrugën katër modelëve të tjerë: bashkëshortja e Roulinit, Augustine, dhe tre fëmijët e tyre. E shohim djalin e tyre 17-vjeçar, Armand, një farkëtar çirak me gjurmët e para të qimeve në fytyrë, që duket i sikletosur nga vëmendja e piktorit; vëllain e tij më të vogël, 11-vjeçarin Camille, një nxënës shkolle i cili, sipas katalogut të ekspozitës, “përdridhet në karrige”; dhe Marcelle, foshnjën me faqet e rrumbullakëta, për të cilën Roulin shkruan: “E bën gjithë shtëpinë të lumtur”. Çdo pikturë përfaqëson një fazë të ndryshme të jetës, dhe secili model mori portretin e tij si dhuratë. Në total, Van Gogh krijoi 26 portrete të familjes Roulin, një prodhim domethënës për një familje të vetme, rrallë i parë në historinë e artit.

Van Goghu dikur kishte shpresuar të bëhej baba dhe bashkëshort, dhe marrëdhënia e tij me familjen Roulin i dha mundësinë të përjetonte një pjesë të kësaj lumturie. Në një letër drejtuar Theos, ai përshkruan Roulinin duke luajtur me foshnjën Marcelle: “Ishte prekëse ta shihje me fëmijët e tij në ditën e fundit, mbi të gjitha me vogëlushen, kur e bënte të qeshte, e tundte në gjunjët e tij dhe i këndonte”. Jashtë këtyre mureve, Van Goghu shpesh përjetonte armiqësi nga banorët e qytetit, të cilët e quanin “i çmenduri flokëkuq” dhe madje nënshkruan një peticion për ta mbyllur. Për dallim nga kjo, familja Roulin e pranonte me mirëkuptim sëmundjen e tij mendore, dhe shtëpia e tyre ofronte një vend sigurie dhe mbështetjeje.
Marrëdhënia, megjithatë, ishte larg së qeni e njëanshme. Ky vizitor i arsimuar, me theksin e tij të pazakontë holandez, ishte ndryshe nga çdokush tjetër që Roulini kishte takuar ndonjëherë dhe ofronte “një lloj tjetër ndërveprimi”, shpjegon Hanson. “Ai është i ri në qytet, i ri për historitë e Roulinit dhe ai vetë do të ketë histori të reja për të treguar”. Roulini e shijonte dhënien e këshillave – për shembull, mbi mobilimin e shtëpisë së verdhë – dhe kur, në verën e vitit 1888, zonja Roulin u kthye në qytetin e saj të lindjes për të lindur Marcellenë, Roulino, i mbetur i vetëm, e mirëpriti shoqërinë e Van Goghut.

Roulin gjithashtu pati mundësinë e rrallë për të pasur portrete të pikturuara falas dhe kur, në vitin pasues, u largua për punë në Marsejë, e ngushëllonte fakti që foshnja Marcelle mund ta shihte ende portretin e tij të varur mbi djepin e saj. Dashuria e tij për Van Goghun është e dukshme në korrespondencën e tyre. “Vazhdo të kujdesesh mirë për veten, ndiq këshillat e doktorit tënd të mirë dhe do ta shohësh rikuperimin tënd të plotë për kënaqësinë e të afërmve dhe miqve të tu”, i shkroi ai nga Marseja, duke e përfunduar letrën me fjalët: “Marcelle të dërgon një puthje të madhe”.
Portretet e Van Goghut e vendosën atë në zemër të shtëpisë familjare. Në pesë versionet e tij La Berceuse, që do të thotë si “ninullë” ashtu edhe “gruaja që tund djepin”, zonja Roulin mbante një litar të krijuar nga Van Goghu, i cili tundte djepin e foshnjës përtej telajos, duke ua mundësuar të dyve qetësinë për të përfunduar veprën. Ngjyrat e gëzueshme të sfondit – e gjelbër, e kaltër, e verdhë ose e kuqe – ndryshojnë nga një anëtar i familjes te tjetri. Sfondet e pasura me lule, të rezervuara për prindërit, shfaqen më vonë duke përcjellë lumturi dhe dashuri – një lulëzim që ndodhi pas portreteve të hershme më të thjeshta.
Historia e artit ka përfituar gjithashtu shumë nga liria që kjo marrëdhënie i dha Van Goghut për të eksperimentuar me portretet dhe për të zhvilluar stilin e tij të veçantë, me format e sakta, ngjyrat e theksuara dhe të ndritshme, si dhe penelatat e trasha dhe të valëzuara që i japin formave një lloj vibrimi të gjallë. Nga siguria e kësaj miqësie, ai sfidoi konventat e pikturës së portretit, duke i dhënë përparësi një përgjigjeje emocionale ndaj subjektit të tij, duke vendosur “të mos riprodhoj atë që kam përpara syve të mi”, por të “shpreh veten me guxim” dhe të pikturojë Roulinin, siç i tha Theos, “ashtu siç e ndiej unë”.

Po të mos kishte ndjerë mbështetjen e palëkundur të Roulinit, Van Gogh mund të mos kishte mbijetuar serinë e krizave shkatërruese që filluan në dhjetor 1888, kur ai preu veshin me brisk. Falë kujdesit të atyre që e donin, ai jetoi edhe 19 muaj të tjerë, duke prodhuar një numër të jashtëzakonshëm prej 70 pikturash në 70 ditët e tij të fundit dhe duke lënë pas një nga trashëgimitë më të çmuara të historisë së artit.
Ashtu si portretet intime që ai krijoi në Arle, ekspozita është e mbushur me optimizëm. “Shpresoj që të qenit pranë këtyre veprave të artit dhe eksplorimi i procesit të tij krijues – dhe mënyrave të tij të krijimit të lidhjeve – do të jetë një histori prekëse”. thotë Hanson. Larg “shmangies së trishtimit” të kësaj periudhe të jetës së Van Goghut, ekspozita dëshmon fuqinë e marrëdhënieve mbështetëse dhe “realitetin se trishtimi dhe shpresa mund të bashkëjetojnë”.