Në Shqipëri, pavarësisht se hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë përfshirë zyrtarë të niveleve të larta dhe përfaqësuesë po ashtu të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, kryeministri Edi Rama thotë se është i qetë e i vendosur që beteja ndaj pandëshueshmërisë të vijojë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në integrimin europian, te ekonomia, debati për opinionin e Komisionit të Venecias për rastin e mandatit të ish ministres Olta Xhaçka e pritshmëritë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, së pari, faleminderit për këtë intervistë në fund të vitit me Zërin e Amerikës. Do të doja ta nisja me një ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë gjatë këtij viti, përparimin e saj në integrimin drejt Bashkimit Europian. Brenda dy muajsh, Shqipëria arriti të hapë dy grupe kapitujsh. Megjithatë ambicia juaj është që bisedimet të mbyllen brenda vitit 2027. Sa realiste është kjo, duke patur parasysh që fqinjët tanë kanë kaluar vite të tëra e ende janë larg?
Kryeministri Rama: Kjo nuk është ambicia ime tanimë, por është plani i përbashkët strategjik i shkruar dhe i dakordësuar së bashku me Komisionin Europian. Është një plan konkret, me hapa konkrete, me data konkrete dhe është shumë ambicioz, por ne jemi të angazhuar që ta realizojmë pikë për pikë dhe që, përsa na takon, detyrat për mbylljen e negociatave t’i kemi kryer brenda vitit, që kemi përcaktuar.
Zëri i Amerikës: A është e përgatitur administrata shqiptare për ta përballuar këtë proces? Sepse po i referohem këtu raportit të fundit të Komisionit Europian, dhe më lejoni të citoj, ku thuhet se qeveria, për shembull, “vazhdoi të miratonte politikat dhe ligjet, duke ngritur shqetësime në lidhje me respektimin e standardeve të BE-së”, apo se “një pjesë e mirë e rekomandimeve të Komisionit Europian ose ishin zbatuar pjesërisht, ose nuk ishin zbatuar fare”.
Kryeministri Rama: Këto nuk kanë asnjë lidhje me pyetjen apo me përmbajtjen e pyetjes për administratën, sepse sa e përgatitur është administrata jonë kjo natyrisht nuk duket, nëse ndjek lumenjtë e lajmeve, ku gjysmë të vërtetat që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, po edhe gënjeshtrat safi janë material sundues. Por kjo duket nga faktet dhe fakti më kuptimplotë për përgatitjen e administratës sonë është fakti që administrata jonë përballoi jo vetëm me sukses, por edhe nën sytë e befasuar të Komisionit Europian të gjithë procesin e përgatitjes së negociatave, që është një proces jashtëzakonisht i vështirë.
Nga ana tjetër, administratën tonë e gjykojnë institucione prestigjioze, të cilat funksionojnë si institucione të Bashkimit Europian, ku kam parasysh në këtë rast SIGMA-n, që e cilëson administratën tonë, në mos gabohem, në 4 nga 5 fusha të hulumtimit të kapaciteteve të administratës, si më të mirën në rajon.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, korrupsioni mbetet një temë gjerësisht e debatuar edhe ndër vite. Ju shpesh keni deklaruar një seri masash, ndërhyrjesh, reformash që janë marrë, megjithatë në vlerësimet ndërkombëtare, edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian vazhdon të konsiderohet si një shqetësim serioz, madje thuhet edhe se “përpjekjet parandaluese kanë patur një ndikim të kufizuar”.
Kryeministri Rama: Korrupsioni ishte një temë shumë e debatuar për gati dy vjet në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk ishte një temë e debatuar me një kahje, por ishte një temë e debatuar me të dyja kahjet, që do të thotë se në këtë debat për korrupsionin ka shumë; ka natyrisht të vërteta, që në rastin e Shqipërisë ne nuk mund t’i mohojmë, ka shumë të pavërteta që janë atraktive në arenën politike dhe mediatike, ka shumë analiza, që mbështeten mbi shumë spekulime, por, për t’u kthyer dhe për të mbyllur përgjigjen: korrupsioni në Shqipëri është një problem, asnjëherë aq i madh sa të meritojë tamtamet e përnatshme në të gjitha llojet e frëngjive dhe në të gjitha llojet e platformave, por një problem, që pikërisht pse është real, jemi duke e përballur qoftë me reforma, qoftë me modernizimin e shërbimeve dhe me modernizimin e proceseve brenda administratës, duke shfrytëzuar teknologjinë, qoftë nëpërmjet institucioneve të reja të drejtësisë dhe patjetër, qoftë falë mbështetjes publike, që në këtë luftë kundër kësaj të keqeje është një mbështetje e gjerë.
Zëri i Amerikës: A ju ka shqetësuar një numër jo i vogël ish-zyrtarësh, zyrtarësh të lartë, përfaqësuesish tuaj, kyetarë e ish kryetarë bashkish e së fundmi edhe deputetë, të cilët janë nën hetim nga SPAK-u, të paktën për shpërdorim detyre apo korrupsion?
Kryeministri Rama: Kjo pyetje më bëhet qëkur SPAK-u ka filluar të veprojë dhe gjithmonë më shkakton habi, sepse mund të më bëhej në mënyrë këmbëngulëse, nëse unë do të isha një person i gjendur gafil përballë produkteve ose rezultateve të një reforme të bërë nga të tjerë. Po unë nuk jam një person i gjendur gafil dhe reformën në drejtësi e kam bërë unë në krye dhe Partia Socialiste e gjitha në mbështetje të kësaj reforme. Kështu që, natyrisht që mua nuk më vjen mirë në aspektin njerëzor dhe personal për njerëz të cilët i njoh, me të cilët kam punuar, me të cilët kam bashkëpunuar nga më larg ose nga më afër, por kur bëhet fjalë për detyrën që kam, kur bëhet fjalë për misionin që udhëheq, kur bëhet fjalë për faktin se ky është një proces i dhimbshëm, përmes së cilit Shqipëria do të bëhet më në fund shteti, që nuk u bë kurrë dhe, falë të cilit në Shqipëri pandëshkueshmëria tanimë nuk është një mit, por është një monument i rrëzuar, dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga shpallja shtet më 1912-n, ka individë të lidhur me pushtetin politik, qofshin në radhët e shumicës që qeveris apo në radhët e shumicës që ka qeverisur, atëherë këtu është për t’u habitur me habinë e kujtdo qoftë, por unë personalisht ndjehem absolutisht i qetë, i qartë dhe i vendosur, akoma më i vendosur, që kjo betejë të vazhdojë dhe të mos ketë asnjë kompromis.
Zëri i Amerikës: Pyetja për shqetësimin, lidhet pikërisht me këtë, jo me faktin që ju habiteni nga kjo gjë, por a mund t’ju pyes për rastin e zotit Veliaj i përfshirë së fundmi në hetime? A e cënon kjo imazhin e Partisë suaj?
Kryeministri Rama: Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate, sic ka qenë rasti i një shpifësi recidiv. Por mund të them vetëm që, fakti se cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër, gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese.
Zëri i Amerikës: Bëhet fjalë për emra të rëndësishëm të politikës dhe jetës publike. Kështu që, detyrimi është për të marrë një opinion nga ju.Kryeministri Rama: Opinioni im dihet. Është i njohur botërisht. Përballë drejtësisë dhe përballë ligjit dhe përballë të drejtës së institucioneve të drejtësisë për të bërë punën e tyre, nuk janë emrat që caktojnë se për kë e bëjnë apo për kë s’e bëjnë punën, por janë faktet dhe janë liritë dhe të drejtat e të gjithëve, që duhen ushtruar dhe duhen vënë në zbatim, duke filluar nga liria dhe e drejta e drejtësisë, që të bëjë detyrën e vet.
Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit lidhur me këtë kapitull. A përbën një fakt të rëndë që ish deputeti juaj Ergys Çyrbja, sipas hetimeve deri tani, rezulton të jetë katapultuar në pjesën e sipërme të listave për deputetë me mbështetjen e krimit të organizuar?
Kryeministri Rama: Së pari, përsëri më bëni një pyetje që përgjigjen e ka marrë, e mori dhe këtu dhe është e kotë që të kërkoni një përgjigje tjetër. Kështu që, këto janë tërësisht pa lidhje me detyrat e mia dhe me funksionet e mia. Unë thjesht përgjigjem për punën time, për detyrën time. Detyra ime nuk është, që të bëj punët e një pushteti tjetër të pavarur.
Zëri i Amerikës: Zoti Rama, duke u ndalur tek ekonomia; edhe të dhënat e tremujorit të tretë të këtij viti treguan një rritje të qëndrueshme në nivele të konsiderueshme të ekonomisë. Por ajo që bie në sy është se kjo rritje po mbështetet kryesisht tek ndërtimi dhe tek turizmi. A është ky modeli ekonomik që Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë se, sido që të jetë, bëhet fjalë për dy sektorë që janë të cenueshëm?