Arsenal mori një fitore shumë të rëndësishme në Lisbonë, duke mposhtur Sporting me golin e Kai Havertz në minutën e 91-të. Gjermani doli protagonist në fund, në një ndeshje ku londinezët vuajtën më shumë sesa pritej, por dolën me një avantazh të vyer për sfidën e kthimit.
Sporting bëri një paraqitje të fortë dhe në disa momente u duk edhe më i rrezikshëm, sidomos në pjesën e parë, ku Maxi Araújo goditi traversën. Arsenal pati kontroll më të madh të topit, por e pati të vështirë të krijonte raste të pastra.
Në pjesën e dytë, Zubimendi gjeti rrugën e rrjetës për Arsenal, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Më pas, Sporting ushtroi presion të madh me kundërsulme të shpejta, por David Raya shpëtoi anglezët me dy pritje të jashtëzakonshme, duke u bërë një nga lojtarët kyç të ndeshjes.
Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, Havertz goditi në shtesë dhe i dha Arsenal një fitore që e afron me gjysmëfinalen. Gjithsesi, gjithçka mbetet e hapur para ndeshjes së kthimit në “Emirates”.











