Një 40-vjeçar është arrestuar këtë të hënë nga policia e Korçës, pasi ka kanosur me thikë menaxherin e një supermarketi në qytet.
Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e djeshme në një supermarket në lagjen 10 të qytetit. Sipas të dhënave, 40-vjeçari ka pritur menaxherin e supermarketit të dilte jashtë, duke përdorur një mjet prerës, thikë, për t’i marrë xhiron e ditës.
Mësohet se forcat e komisariatit të policisë kanë bërë të mundur identifikimin e autorit dhe kapjen e tij, ndërsa ky i fundit mbante veshur një kapuç për të mos u zbuluar.
40-vjeçari është i njohur për policinë, pasi ka qenë i dënuar edhe më parë për vjedhje. Mbi të rëndon akuza e “vjedhjes me dhunë”, ndërsa vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rastit.











