Federata Argjentinase e Futbollit është përfshirë në një tjetër stuhi mediatike vetëm tri ditë pas humbjes së finales së Kupës së Botës ndaj Spanjës.
Sipas “Infobae”, agjentët e FBI-së ndaluan avionin e kombëtares argjentinase në aeroportin JFK të Nju Jorkut dhe sekuestruan telefona e pajisje elektronike që u përkisnin disa drejtuesve të AFA-s, përfshirë presidentin Claudio “Chiqui” Tapia dhe arkëtarin Pablo Toviggino.
Hetimi lidhet me dyshime për mashtrim, përvetësim fondesh dhe pastrim parash përmes kompanisë TourProdEnter, e cila menaxhonte një pjesë të kontratave ndërkombëtare, sponsorëve dhe të ardhurave komerciale të kombëtares argjentinase.
Sipas raportimeve, operacionet financiare nën hetim kapin vlerën e mbi 300 milionë dollarëve, ndërsa drejtues të AFA-s pritet të paraqiten më 30 korrik në Gjykatën e Distriktit Jugor të Floridës për të dhënë informacione mbi çështjen.
Megjithatë, AFA ka mohuar që Tapia dhe Toviggino të jenë thirrur personalisht nga drejtësia amerikane apo që ndaj tyre të jenë marrë masa të drejtpërdrejta. Federata sqaroi se kërkesa e gjykatës i drejtohet një pale të tretë dhe e cilësoi informacionin për sekuestrimin e sendeve të tyre si të pasaktë.
Avokatët e dy drejtuesve gjithashtu i kanë mohuar akuzat, duke theksuar se klientët e tyre nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet amerikane ose argjentinase.











