Gjykata ka shpallur të paligjshëm arrestimin e Artur Alimadhit, i ndaluar gjatë protestave pranë Parlamentit, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm.
Gjatë seancës gjyqësore, Alimadhi kundërshtoi akuzat e ngritura nga Policia, duke dëshmuar se ishte arrestuar gjatë protestës dhe se ishte dhunuar nga efektivët, si gjatë ndërhyrjes, ashtu edhe pas shoqërimit në komisariat.
Në dëshminë e tij, Alimadhi pranoi se kishte qëlluar me vezë drejt shefit të Komisariatit nr. 1, pasi ky i fundit kishte urdhëruar arrestimin e tij. Ai tha se nga dy vezët që kishte hedhur, njëra kishte goditur në gjoks Ervin Hasramen.
Nga ana tjetër, Alimadhi mohoi akuzat e Policisë se kishte goditur me shufër metalike në kokë shefin e komisariatit dhe se kishte ushtruar dhunë ndaj efektivëve të forcave “Shqiponja”, ndërkohë që nga pamjet virale në rrjet duket qartë që janë këta të fundit që e qëllojnë ndërsa e kapin dhe pasi e fusin në makinë.
Alimadhi dëshmoi se ishte dhunuar nga efektivët ndërsa protestonte paqësisht dhe po filmonte protestën me pajisjen e tij të regjistrimit. Sipas tij, dhuna kishte vijuar edhe pasi ishte shoqëruar në komisariat, ku, siç tregoi para gjykatës, kishte pësuar dëmtime në kokë dhe fytyrë.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentet kur Alimadhi goditet nga efektivët pasi ishte futur në automjetin e Policisë. Këto pamje kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e ndërhyrjes së forcave të rendit dhe trajtimin e tij gjatë arrestimit.
Alimadhi deklaroi gjithashtu se ishte dhunuar nga shefi i komisariatit, Ervin Hasrama në zyrën e këtij të fundit, pas mbërritjes në komisariat. Për këtë arsye, do t’i kërkohet Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) sekuestrimi i pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë së komisariatit, me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Në përfundim të seancës, gjykata e vlerësoi arrestimin e Alimadhit si të paligjshëm dhe urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm.











