Arbër Emini, kandidati shqiptar për kryetar të Kllokotit, shprehu pritjen që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të anulojë rezultatet e zgjedhjeve dhe t’i përsërisë ato. Kjo vjen pas një vendimi të Gjykatës Supreme e cila e ka mbështetur ankesën e tij. Procesi zgjedhor në Kllokot është vënë nën dyshim nga Prokuroria, e cila ka nisur hetime për dyshimet se ishin lëshuar vërtetime nga institucionet shëndetësore paralele të Serbisë, të përdorura për të mundësuar votimin me asistencë.
Sipas Gjykatës Supreme, PZAP ka gabuar duke refuzuar ankesën e Eminit si të parakohshme, pasi ai kishte ngre të shqetësime për parregullsitë gjatë ditës së votimit, dhe jo për rezultatet e përfundimtare. Supremja theksoi se ankesat e Eminit ishin adresuar ndaj partive Lista Serbe dhe Srpska Narodna Sloga, dhe jo ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e urdhëruar PZAP-in të rishqyrtojë ankesën e tij.
Gjatë ditës së zgjedhjeve, policia ka arrestuar një grua për dyshimin se ka lëshuar vërtetime mjekësore të rreme. Prokuroria ka konfirmuar se janë duke u kryer veprime hetimore në lidhje me këtë rast.
Kllokoti, e krijuar në vitin 2010, ka një popullsi kryesisht shqiptare, sipas regjistrimit të vitit 2024, por pushtetin lokal e kanë ushtruar serbët që nga krijimi. Emini pretendon se partitë serbe shkelën ligjet dhe rregullat zgjedhore për të siguruar fitore në zgjedhje. Ai përfundoi në vendin e tretë me 518 vota, ndërsa rezultatet treguan dy kandidatë serb për balotazh, Bozhidar Dejanoviqin dhe Sreçko Spasiqin.
Emini ka shprehur vendosmërinë për të vazhduar kërkesën për rivotimin në Kllokot, duke theksuar se ka prova për parregullsitë dhe ndërhyrjet nga struktura ilegale të Serbisë. Në përfundim, ai bën thirrje për një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik, duke kërkuar që Kllokoti të kalojë në rivotim, siç përcakton Ligji për Zgjedhjet.










