Sot, më 18 maj, në orën 16:30, mijëra studentë shqiptarë pritet të mblidhen para Urës së Gurit në Shkup, për të kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Protesta organizohet nën sloganin “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zi”, ndërsa studentët theksojnë se kërkesa e tyre lidhet me respektimin e të drejtave gjuhësore dhe zbatimin e ligjit në fuqi.
Kjo është protesta e dytë që organizohet këtë vit nga studentët shqiptarë.
Më 6 prill 2026 në Shkup, mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë kërkuan përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat ligjore dhe në provimin e jurisprudencës. Pas asaj proteste, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se qeveria ishte duke punuar për një zgjidhje konkrete.
Sipas studentëve, Ligji për Provimin e Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut nuk përcakton që provimi duhet të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase. Ata i referohen gjithashtu Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të miratuar në vitin 2019, i cili detyron institucionet shtetërore të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat zyrtare në zonat ku shqiptarët përbëjnë të paktën 20% të popullsisë.
Përmes protestës së sotme, studentët synojnë të rrisin presionin ndaj institucioneve dhe kërkojnë zbatim të plotë të ligjit, në mënyrë që çdo qytetar shqiptar të ketë të drejtën të japë provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare.











