Gazetarja Glidona Gaci ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Gazetarja raporton se autori Elvis Shkëmbi e ka mbushur armën brenda sallës së gjyqit dhe ka qëlluar katër herë në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja, në momentin ku ky i fundit dha vendimin, i cili i jepte të drejtë palës tjetër.
Nga dinamikat dhe tensionet, mbetën të plagosur edhe dy persona, babë e bir nga pala kundërshtuese. Ndërkohë që nuk dihet ende se si është bërë e mundur futje e armës së krimi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit.
“Në sallat e gjyqit në përgjithësi kur futesh brenda u nënshtrohet kontrolleve dhe procedurave të sigurisë, të cilat janë protokolle që zbatohen. Por sipas të dhënave, autori e ka mbushur armën brenda sallës së gjyqit, në momentin që gjyqtari Astrit Kalaja, gjyqtar monokratik, pra ka qenë i vetëm pa anëtarët e tjerë gjyqtarë, ka shpallur vendim dhe ka vendosur në favor të palës kundërshtare, i cili pretendonte për një çështje pronësie në qytetin e Shkodrës.
Xhaxhai i tij Gjon Shkëmbi ka dalë në shumë emisione dhe prononcime për mediat, për çështjen e pronësisë, ku pretendonte se kishte të drejtë për një objekt që kishte ndërtuar në qytetin e Shkodrës dhe pretendonte se 31 familje po ia përfitonin në mënyrë të paligjshme. Në momentin që është bërë shpallja e vendimit nga gjyqtari Kalaja 30-vjeçari ka qëlluar katër herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Por, për shkak të tensionimit ai ka qëlluar edhe në drejtim të palëve të tjera në proces, ku kanë mbetur të plagosur babë e bir”, raportoi gazetarja në emisionin “Rudina”.











