Përplasja mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë po merr gjithnjë e më shumë ngarkesë politike, ndërsa debatet rreth hetimeve të fundit të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë sjellë në qendër të vëmendjes edhe rolin e kryeministrit Edi Rama.
E ftuar në emisionin “A Show”, gazetarja Klodiana Lala deklaroi se kryeministri po zhvillon një përballje të drejtpërdrejtë me institucionet e reja të drejtësisë, duke e cilësuar situatën si një konflikt që shkon përtej një çështjeje të zakonshme penale dhe merr dimension të qartë politik.
Në analizën e saj, Lala shprehu bindjen se kryeministri mund të thirret në SPAK si person që ka dijeni për çështje të caktuara, madje nuk përjashtohet as mundësia që ai të përballet me statusin e të pandehurit.
“Unë mendoj që Edi Rama do të thirret në SPAK, ose si person që ka dijeni për çështje të caktuara, ose edhe si i pandehur. Madje kjo mund të ndodhë brenda vitit 2026”, deklaroi gazetarja.
Sipas Lalës, mënyra se si do të zhvillohen këto procese do të tregojë nëse reforma në drejtësi do të arrijë të veprojë pa kufizime edhe ndaj figurave më të fuqishme politike në vend.











