Sot në Tiranë u mbajt takimi i 20-të i komitetit parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri – Bashkimi Evropian. Një nga pjesëmarrësit kryesorë ishte eurodeputeti grek Fredi Beleri, i cili në fjalimin e tij shprehu kritika të forta ndaj Shqipërisë, duke kërkuar ndihmë për të krijuar një universitet grek në vend dhe duke e theksuar lirinë e fesë si një shqetësim të madh.
Beleri theksoi se, megjithëse opinionet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian janë të favorshme, me 95% të popullsisë që mbështet përpjekjet, nevojitet një angazhim më i madh. Ai përmendi ligjin e miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2017 për pakicat, por që deri tani nuk ka sjellë përmirësime konkrete në fushën e arsimimit në gjuhën amëtare. “Nuk ka ende një universitet grek në Shqipëri,” theksoi ai, duke e lidhur këtë me problemet që kanë nxënësit që mësojnë gjuhën greke në shkolla, ku përmendi tekstet shkollore që kanë tendenca irredentiste.
Megjithëse njohu progresin në harmoninë ndërfetare në Shqipëri, Beleri evidentoi një problem në kthimin e pronave të institucioneve fetare pas 70 vitesh. Ai gjithashtu kritikuoi reformën territoriale, duke thënë se ndryshimet e bëra në Himarë nuk janë në përputhje me përbërjen demografike dhe etnike të zonës. Ai përmendi se të drejtat e njeriut duhet të mbrohen jo vetëm për pakicat, por për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Një tjetër shqetësim ishte kthimi i pronës, për të cilin Beleri tha se vetëm 50% e shqiptarëve gëzojnë pronën që i takon, dhe se kjo përqindje është shumë më e ulët për pakicat. Ai kritikoi ndërhyrjen politike në sistemin e drejtësisë, duke e ilustruar me shembuj konkretë të emërimeve në nivele lokale nga kryeministri.
Ky takim i komitetit ka theksuar nevojën për të përmirësuar marrëdhëniet dhe avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, duke u përballur me sfidat ekzistuese si të drejtat e pakicave, reforma territoriale dhe sistemi i drejtësisë.










