Fenomeni i Barcelonës, Lamine Yamal, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes – jo vetëm për talentin e tij në fushë, por edhe për jetën e tij personale. Vetëm 18 vjeç, ai është kthyer në një nga emrat më të mëdhenj të futbollit europian dhe ishte pranë fitores së Topit të Artë 2025. Por së fundmi, gazetari francez Romain Molina ka zbuluar disa prapaskena interesante për mënyrën se si jeton Yamal dhe rrethi i tij.
Sipas Molinës, Yamal dhe njerëzit përreth tij jetojnë në një realitet krejtësisht ndryshe nga pjesa tjetër e botës.
“Ata nuk kanë dëgjuar fjalën ‘jo’ prej vitesh,” – tha gazetari. “Askush nuk u refuzon asgjë – të gjithë u thonë ‘po’. Janë mësuar të marrin gjithçka që duan, kur të duan.”
Gazetari shton se markat më të mëdha në botë, klubet elitare, agjentët më të fuqishëm dhe personazhe të njohura publike kërkojnë të jenë afër Yamalit ose njerëzve që e rrethojnë, duke e bërë atë pjesë të një “rrethi të paprekshëm”.
“Kur ke pranë vetes njerëz që të adhurojnë dhe të mburrin pa pushim, krijon një realitet ku gjithçka të lejohet,” – shpjegon Molina.
Ndërkohë, Yamal aktualisht ndodhet i dëmtuar dhe nuk u bashkua me kombëtaren spanjolle gjatë grumbullimit të fundit. Në vend të kësaj, ai ka shfrytëzuar periudhën e pushimit për një udhëtim romantik me të dashurën e tij, reperen argjentinase Nicki Nicole, një detaj që ka zgjuar interes të madh në rrjetet sociale.
Me talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe famën që po rritet me shpejtësi, Yamal shihet si fytyra e re e Barcelonës dhe e futbollit spanjoll. Por, siç paralajmërojnë disa ekspertë, sfida më e madhe për djaloshin mrekulli mund të mos jetë në fushë — por ta ruajë këmbën në tokë mes botës së “po-ve” pa kufij.











