Finalissima mes Spanjës dhe Argjentinës është mbuluar nga pasiguria dhe gjithnjë e më shumë po rriten dyshimet nëse kjo ndeshje do të zhvillohet apo jo. Në dhjetor të vitit 2025, delegacioni argjentinas i drejtuar nga Lionel Scaloni mbërriti në Uashington për shortin e Botërorit me një mesazh të fortë dhe befasues: ende nuk dihej nëse Finalissima do të luhej.
Sipas raportimeve, një nga arsyet kryesore lidhet me afrimin e Kupës së Botës dhe frikën se një humbje e rëndë ndaj Spanjës mund të ndikojë negativisht te Argjentina pak muaj para turneut më të madh të futbollit. Brenda Federatës Argjentinase të Futbollit duket se ka pasur edhe probleme të tjera, përfshirë hetimin ndaj presidentit Chiqui Tapia, si dhe përplasje të brendshme mes drejtuesve dhe skuadrës.
Situata është rënduar edhe më shumë nga mënyra si është menaxhuar kalendari. Spanja siguroi kualifikimin për në Botëror vetëm në nëntor të vitit 2025, duke lënë si të vetmen dritare të mundshme muajin mars, vetëm tre muaj para Kupës së Botës. Kjo ka shtuar shqetësimet e Scaloni-t, i cili nuk e sheh me sy të mirë rrezikun e një përballjeje kaq të fortë kaq pranë turneut.
Një tjetër element i rëndësishëm ka qenë edhe çështja financiare. Katari kishte ofruar një shumë shumë të madhe për të pritur Finalissima-n, por pas tensioneve në Lindjen e Mesme dhe humbjes së këtij opsioni, interesi për të gjetur një zgjidhje duket se është zbehur ndjeshëm. Pikërisht këtu nisi të përflitej edhe refuzimi ndaj “Santiago Bernabéu”, një lëvizje që sipas raportimeve është parë më shumë si justifikim sesa si pengesë reale.
UEFA dhe Federata Spanjolle e Futbollit propozuan stadiumin e Real Madrid si zgjidhje ideale, duke pasur parasysh kapacitetin, nivelin e lartë të impiantit dhe praninë e madhe të komunitetit argjentinas në Spanjë. Megjithatë, sipas të njëjtave raportime, nga ana e CONMEBOL-it dhe AFA-s nuk pati ndonjë reagim të fortë për ta shtyrë përpara organizimin e ndeshjes.
Në këto kushte, ekziston ende një shpresë që Finalissima të luhet, por pengesat politike, sportive dhe financiare duket se e kanë vendosur seriozisht në dyshim zhvillimin e saj. Për momentin, ndeshja mes Spanjës dhe Argjentinës mbetet më shumë një çështje e hapur sesa një event i sigurt në kalendarin ndërkombëtar.











