Një rast tragjik dhe me pasoja të rënda është raportuar në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku një qytetar nga Durrësi ka denoncuar humbjen e nënës së tij si pasojë e një aksidenti rrugor. Ngjarja ndodhi më 27 dhjetor, kur e moshuara u godit nga një automjet teksa kalonte rrugën. Sipas pamjeve filmike, drejtuesi i automjetit, një i ri 24-vjeçar, nuk ndihmoi viktimën dhe u largua nga vendngjarja. Ajo u nxor nga poshtë makinës nga kalimtarët dhe u transportua menjëherë në spital, ku qëndroi për 20 ditë në reanimacion, por përgjithësisht pa shenja përmirësimi, deri sa ndërron jetë.
Pikëpyetje të shumta lindin rreth veprimeve të institucioneve, përfshirë Prokurorinë e Durrësit, pasi autori i dyshuar u la i lirë, me vetëm një masë “detyrimi për paraqitje” dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Familjarët shprehen të shqetësuar dhe të tronditur për këtë vendim, duke theksuar se nuk kanë marrë informacion të mjaftueshëm nga organet e drejtësisë.
Një çështje tjetër shqetësuese është raporti mjekësor që e klasifikon vdekjen e gruas si “vdekje natyrale”, duke injoruar faktin se ajo kishte qenë në reanimacion për një periudhë të konsiderueshme. Gazetarët e “Fiks Fare” kontaktuan Prokurorinë për informacione lidhur me kërkesat e prokurorit, si dhe për detaje mbi testin e alkoolit të drejtuesit të automjetit, por përgjigjet nuk u dhanë brenda afateve të parashikuara.
Mjeku që plotësoi skedën e vdekjes pranoi se kishte bërë një gabim dhe e quajti atë “lapsus momenti”. Ndërsa familjarët e viktimës janë angazhuar për të siguruar drejtësi, duke theksuar se nuk do të ndalojnë deri sa ngjarja të zbardhet plotësisht. Vajza e të ndjerës ka shprehur vendosmërinë e saj: “Nëse shteti nuk e ndëshkon autorin, ne nuk e falim vdekjen e nënës sonë.” Ky rast nxjerr në pah nevojën për përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe përgjegjshmërisë në raste të ngjashme.










