Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e Imam Aliu në Qabe. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmomd Ibrahimaj, në këtë ditë të shënuar ka uruar mirësi për të gjithë qytetarët. Ai bëri thirrje që të lutemi për paqe e mirësi, dhe ta duam më shumë njëri-tjetrin.
“Ta duam më shumë njërit tjetrin, Të jemi falënderues ndaj Zotit për të gjitha të mirat. Të ndjejmë njëri-tjetrin sa më afër. Zoti na do të bashkuar. Kjo jetë është dhënë nga Zoti dhe duhet të kujdesemi për të”, ka thënë ai.
Të gjithë besimtarët bektashianë festojnë sot festën e Sulltan Nevruzit që përkon me ditën e lindjes së të madhit Imam Aliu në Qabe. Sipas legjendës, në këtë ditë çdo gjë rigjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin ku të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.
Lindja e Imam Aliut më 22 mars shënon ditën më të bekuar të vitit për të gjithë besimtarët bektashianë. I njohur si një ndër shenjëtorët më të mëdhenj të kohërave, Imam Aliu është i pari i 12 imamëve.
Ndonëse shumica e vendeve në botë e festojnë më 21 mars, në Shqipëri kjo festë festohet më 22. Përveç se një festë fetare në Shqipëri, Nevruzi njihet edhe ndërkombëtarisht prej OKB-së si Dita Ndërkombëtare e Nevruzit.