Mijëra fermerë grekë vazhdojnë protestat e tyre, duke bllokuar pika kyçe të rrjetit rrugor, duke përfshirë autostrada kombëtare dhe pika doganore. Këto bllokada, të filluara për të shprehur pakënaqësitë e tyre, pritet të përshkallëzohen deri në fund të festave të vitit. Në disa rajone, shpesh janë të rreshtuar traktorë në dy drejtimet e autostradave, duke shkaktuar vonesa dhe devijime në trafikun e qytetarëve.
Në Maqedoninë Qendrore, bllokadat janë ndjerë më shumë në Malgara, ndërsa në Magnesia, fermerët kanë ngritur bllokada të reja në Mikrothiva. Në Etoloakarnani, rruga Ionia Odos është mbyllur plotësisht për automjetet, duke lejuar vetëm kalimin e emergjencave. Një situatë shqetësuese është krijuar edhe në Fthiotida, ku mbi 300 traktorë janë të rreshtuar duke bllokuar autostradën Athinë–Lamia.
Bllokadat janë gjithashtu të pranishme në kufij, duke bllokuar doganat e Kipos, Exochi, Promahonas, Evzon, Niki, dhe Kalpaki, ku fermerët po ndalojnë kalimin e kamionëve. Në Sitia të Maqedonisë Perëndimore, një nga bllokadat më të mëdha të dekadës ka mbyllur autostradën Egnatia.
Më shumë tensione janë zhvilluar pas përleshjeve me policinë në rrugët që çojnë drejt aeroportit “Makedonia” në Selanik, ku 150 traktorë bllokuan pjesërisht rrugën. Fermerët kërkojnë një seri masash për të lehtësuar situatën e tyre, përfshirë pagesën e menjëhershme të subvencioneve të prapambetura, vendosjen e çmimeve minimale të garantuara për prodhimet e tyre, uljen e kostove të energjisë, heqjen e taksimit të karburantit dhe kompensime për dëmet në prodhime.
Një mbledhje e komisionit të Përgjithshëm Panhelenik pritet të mbahet javën e ardhshme, ku do të koordinohen veprimet e të gjithë bllokadave në Greqi. Protestat e fermerëve duket se po shkojnë drejt një pikë kulmore, ndërsa ata bëjnë thirrje për ndihma të menjëhershme dhe reforme në politikat bujqësore.











