Një nga zërat e protestës ishte edhe Iliri, një emigrant shqiptar që jeton prej 23 vitesh në Londër, i cili u bëri thirrje bashkatdhetarëve brenda dhe jashtë vendit që t’i bashkohen lëvizjes kundër qeverisë.
Duke folur para protestuesve, ai tha se shumë shqiptarë u detyruan të largohen nga vendi për shkak të politikës dhe qeverisjes ndër vite, ndërsa theksoi se tani ka ardhur momenti që diaspora të rikthejë mbështetjen për qytetarët që po protestojnë në Shqipëri.
“Unë vij nga Londra, një emigrant prej 23 vitesh, i larguar nga qeveria. Sot Shqipëria na do këtu, përkrah jush, në mbështetjen tuaj. Atë që nuk bëmë dot atëherë, ta bëjmë sot dhe të jemi me ju, për Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Iliri nuk kurseu akuzat ndaj klasës politike shqiptare, duke deklaruar se si kryeministri Edi Rama ashtu edhe ish-kryeministri Sali Berisha duhet të përballen me drejtësinë përpara qytetarëve.
“Boll më! Rama dhe Berisha duhet të shkojnë në burg dhe t’i japin përgjigje këtij populli”, deklaroi ai, mes duartrokitjeve të protestuesve.











