Barcelona ka nisur shitjen e biletave për El Clásicon ndaj Real Madridit, që do të luhet më 25 tetor në “Camp Nou”, dhe çmimet janë tepër të larta.
Në fazën e parë, të rezervuar vetëm për anëtarët e klubit, biletat e zakonshme variojnë nga 476 deri në 999 euro, ndërsa çmimet ndryshojnë në varësi të kërkesës.
Edhe më të shtrenjta janë biletat “Premium”. Më e lira nis nga 2,050 euro, ndërsa disa prej vendeve më të mira pranë fushës arrijnë deri në rreth 5,500 euro.
Sezonin e kaluar Barcelona arkëtoi 16.4 milionë euro nga El Clásico në “Camp Nou”, ndërsa me çmimet aktuale klubi shpreson ta kalojë këtë rekord.
Sa më shumë të afrohet dita e ndeshjes, pritet që çmimet të rriten edhe më tej.










