Detaje të reja kanë dalë në dritë nga grabitja e kasafortës në një banesë në rrugën “Zihni Sako”, nga dy autorët, Andi Hasani dhe Agron Goxhaj.
Andi Hasani dhe Agron Goxhaj ruajtën pronarin e banesës ku vodhën kasafortën në zonën e Kinostudios në Tiranë derisa doli nga shtëpia dhe përmes një çelësi të punuar nga Goxhaj hynë brenda dhe morën kasafortën me gjithçka kishte brenda.
Më pas u larguan duke rregulluar çdo gjë dhe pasi e hapën brenda saj gjetën një shumë parash dhe sende me vlerë, përfshirë disa bizhuteri dhe një pistoletë që pronari e kishte me leje. Me gjetjen e armës, Hasani dhe Goxhaj janë frikësuar dhe kanë menduar se pronari mund të ishte punonjës policie.
Ata janë rikthyer sërish në banesë për të lënë vetëm armën me kasafortën, por jo sendet e tjera me vlerë. Megjithatë, sapo janë afruar kanë konstatuar në banesë policinë, e cila ishte thirrur nga pronari pas denoncimit për vjedhje.
Fillimisht, sapo kanë parë policinë kanë tentuar të largohen me vrap, por efektivët e Komisariatit nr. 4 mundën t’i kapin.
Nga kontrollet në shtëpinë e Agron Goxhajt, i cili rezulton me precedent penal, i arrestuar më parë për plagosje në Shkodër, u gjet punishtja për falsifikim të çelësave të dyerve.
Me të njëjtën skemë dyshohet se kanë vjedhur bashkë edhe shtëpi të tjera në zona të ndryshme.











