Danimarka ka vendosur të ndalojë të gjitha fluturimet civile të droneve pas disa vëzhgimeve të reja në objekte ushtarake gjatë fundjavës. Kjo masë vjen para Samitit të Bashkimit Evropian që do të mbahet në Kopenhagë. Ministria e Transportit deklaroi se “të gjitha dronët civilë që fluturojnë në hapësirën ajrore daneze do të jenë të ndaluar” nga e hëna deri të premten, për të shmangur konfuzionin mes dronëve të huaj dhe atyre të ligjshëm.
Ministri i Transportit, Thomas Danielsen, theksoi se nuk mund të pranohet që dronët e huaj të krijojnë pasiguri në shoqëri, sidomos me ngjarjet e planifikuara. Sanksionet për shkeljen e këtij ndalimi përfshijnë gjobitje ose burg deri në dy vjet. Ndalimi nuk përfshin fluturimet ushtarake dhe ato që përdoren nga shërbimet shtetërore, si policia.
Ministria daneze e Mbrojtjes njoftoi se kishte vëzhguar përsëri dronë në disa lokacione ushtarake dhe se pas një takimi të NATO-s, do të intensifikoheshin masat e vigjilencës në rajonin e Baltikut, duke përfshirë Danimarkën. Koloneli Martin O’Donnell konfirmoi se liderët e NATO-s ishin në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët danezë pas këtyre vëzhgimeve.
Më tej, Danimarka mori një mbështetje ushtarake nga Gjermania, me anijen FSG Hamburg që mbërriti në Kopenhagë për të forcuar survejimin e hapësirës ajrore. Gjermania do të ofrojë gjithashtu teknologji për zbulimin e dronëve. Suedia kishte njoftuar edhe më parë se do të ofronte një kapacitet ushtarak anti-dron për Danimarkën.
Pas raporteve të shumta për shfaqje dronësh, që detyruan mbylljen përkohësisht të disa aeroporteve, tensionet në Danimarkë janë të larta. Ministër i Drejtësisë, Peter Hummelgaard, shprehu shqetësimin se qëllimi i këtyre fluturimeve është të krijojnë frikë në shoqëri. Ndërkohë, Kryeministri i Danimarkës, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, e kanë lënë hapur mundësinë e përfshirjes ruse në këto aktivitete.









