Cristiano Ronaldo Jr. po stërvitet aktualisht me skuadrën Cadete A, pra ekipin U-16 të Real Madridit, në kuadër të një periudhe prove për të vlerësuar një transferim të mundshëm në të ardhmen.
Sipas raportimeve, 15-vjeçari nisi stërvitjen me ekipin të hënën dhe do të vazhdojë të qëndrojë në Valdebebas deri në tetë javë, që është edhe periudha maksimale e lejuar nga FIFA për raste të tilla. Qëllimi i kësaj prove është të shihet nga afër niveli i tij dhe mundësia për një firmë me klubin madrilen.
Deri tani, Cristiano Jr. ka zhvilluar dy seanca stërvitore me skuadrën e drejtuar nga Carlos Cura, ndërsa pritet të ketë edhe të tjera në vijim. Integrimi i tij në grup thuhet se ka qenë i menjëhershëm.
Në aspektin sportiv, ai është përdorur kryesisht si anësor, ndërsa stërvitjet janë përqendruar shumë në përgatitjet për ndeshjen e shtyrë kundër Rayo Vallecanos. Përtej paraqitjes në fushë, te Valdebebas kanë mbetur të impresionuar edhe nga sjellja e tij jashtë saj.
Burime pranë klubit e kanë përshkruar atë si “shumë modest dhe i sjellshëm”, duke vlerësuar cilësitë e tij njerëzore po aq sa potencialin futbollistik.
Cristiano Jr. aktualisht është pjesë e akademisë së Al Nassr dhe konsiderohet një sulmues premtues, që mund të luajë edhe si anësor i djathtë. Ai shquhet për shpejtësinë, lëvizshmërinë dhe teknikën, ndërsa thuhet se ka edhe një fizik të zhvilluar për moshën e tij.
15-vjeçari tashmë ka debutuar edhe me kombëtaren U-16 të Portugalisë, duke ndjekur kështu gjurmët e të atit. Më herët ai ka qenë pjesë edhe e akademive të Manchester United dhe Juventusit, sërish duke ndjekur rrugën e Cristiano Ronaldos.
Real Madridi nuk është i vetmi klub që po e ndjek nga afër zhvillimin e tij, pasi interes për talentin e ri raportohet të kenë edhe disa klube të tjera europiane.











