Cristiano Ronaldo, ylli portugez i futbollit, shpërtheu në emocione gjatë një interviste me gazetarin anglez Piers Morgan në YouTube, duke folur për të ardhmen e tij pas tërheqjes nga futbolli. Ai rrëfeu se dita kur do të largohet nga fushat do të jetë shumë e vështirë, duke theksuar se mund të qajë për këtë vendim, një ndjesi që e kanë ndjerë edhe shumë kolegë të tij.
“Do të jetë e rëndë, sigurisht. Po, me shumë mundësi do të qaj,” tha ai, duke nënvizuar se ka filluar të planifikojë të ardhmen e tij të paktën që në moshën 25-vjeçare. Ronaldo e sheh këtë proces si një përgatitje për sfidat e ardhshme, për të cilat mendon se do të jetë në gjendje të përballojë.
Megjithatë, ai nuk ka përmendur një datë të caktuar për tërheqjen, por ka theksuar se pas futbollit, planifikon të kalojë më shumë kohë me familjen dhe të rrisë fëmijët e tij. Ronaldo e krahasoi ndjenjën e shënimit të një goli me adrenalinën që ndjen, duke e pranuar se gjithçka ka një fillim dhe një fund dhe është i gatshëm për këtë ndryshim.
Ai gjithashtu shprehu trishtimin për situatën e vështirë që po kalon Manchester United, klubi ku ai ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij. “Jam i trishtuar për klubin, një ndër më të rëndësishmit në botë që e kam akoma në zemër,” shprehu Ronaldo, duke theksuar nevojën për të punuar me njerëz inteligjentë për të ndihmuar në ndërtimin e një baze të fortë për të ardhmen.
Nostalgjik për të kaluarën, ai përmendi emra të njohur si Nicky Butt, Gary Neville, Roy Keane dhe David Beckham, të cilët, duke qenë të rinj, ndihmuan në zhvillimin e klubit. Ronaldo duket se është i qartë që suksesi i Manchester United varet nga investirja në talente të rinj dhe menaxhim efektiv. Intervista e tij shërbeu si një refleksion mbi karrierën, emocionet dhe aspiratat e tij pas futbollit.










