Policia spanjolle ka goditur një grup kriminal shqiptar që merrej me kultivimin e marihuanës në ambiente të mbyllura, pas një operacioni të gjerë të zhvilluar në provincën e Zaragozës.
Në kuadër të aksionit, janë arrestuar nëntë persona, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar mbi 2 mijë bimë kanabis dhe 20 kilogramë lëndë narkotike gati për treg.
Vetëm energjia elektrike e vjedhur për furnizimin e plantacioneve kap vlerën e 210 mijë eurove, e barasvlershme me konsumin vjetor të mbi 250 familjeve.
Hetimet nisën në shtator 2024 nga Ekipi i Policisë Gjyqësore i Gardës Civile në Casetas, pas dyshimeve për ekzistencën e disa magazinave të përdorura për kultivimin e kanabisit në ambiente të brendshme.
Rrjeti kishte ndërprerë përkohësisht aktivitetin, pasi drejtuesit kryesorë ishin kthyer në Shqipëri, por e rifilloi në fund të verës 2025, duke ripërshtatur magazinat industriale për të rinisur prodhimin e drogës.
Më 2 dhjetor, u kryen tetë kontrolle njëkohësisht në Cuarte de Huerva, San Mateo de Gállego, La Puebla de Alfindén dhe Zuera, si dhe në disa banesa në Zaragozë.
Gjatë kontrolleve u zbuluan plantacione të sofistikuara me ndriçim artificial, panele elektrike të lidhura në mënyrë të paligjshme me rrjetin publik dhe dhoma të veçuara për çdo fazë të rritjes së bimës.
Në disa prej këtyre ambienteve u gjetën edhe persona që jetonin brenda, për të kujdesur 24 orë për bimët dhe për të shmangur zbulimin nga autoritetet.
Sipas hetimeve, organizata kriminale kishte një strukturë të qartë hierarkike. Udhëheqësi kryesor, që banonte në Zaragozë, merrej me logjistikën dhe financat, ndërsa nën urdhrat e tij vepronin bashkëpunëtorë të ngarkuar me transportin e materialeve dhe shpërndarjen e drogës.
Në nivelin më të ulët ishin kujdestarët e plantacioneve, që siguronin kultivimin dhe ruajtjen e bimëve. Për të shmangur dyshimet, rrjeti përdorte persona të tjerë për të marrë me qira magazinat dhe automjetet, duke krijuar pamjen e bizneseve të ligjshme.
Të nëntë të arrestuarit, të moshës 21 deri në 46 vjeç, janë dërguar përpara gjykatës më 4 dhjetor dhe akuzohen për:
Kultivim dhe trafik droge,
Vjedhje të energjisë elektrike,
Pjesëmarrje në organizatë kriminale,
Si dhe falsifikim dokumentesh për dy prej tyre.










