Aston Villa po luan një futboll të shkëlqyer këtë sezon dhe një nga figurat kryesore të kësaj ecurie është padyshim Morgan Rogers. Megjithatë, sulmuesi mund të largohet nga klubi që në verën e ardhshme. Sipas raportimeve të gazetarit Fabrizio Romano, pavarësisht se Rogers ka nënshkruar së fundmi një kontratë të re me klubin nga Birmingham, një largim i mundshëm mbetet në tavolinë pasi disa klube të mëdha vazhdojnë të mbajnë interes të lartë për lojtarin.
Chelsea e kishte Rogers në listën e dëshirave që verën e kaluar, por në atë kohë interesi nuk u konkretizua me një ofertë zyrtare. Burimet pranë klubit konfirmojnë se lojtari nuk do të lëvizë gjatë merkatos së janarit të vitit 2026, por sapo të hapet dritarja e transferimeve në verë, gjithçka mund të ndodhë. Performanca e tij konstante ka bërë që vëmendja e klubeve elitare të mos zbehet, përkundrazi, të rritet me kalimin e javëve.
Vlen të theksohet se shkëlqimi i tij u konfirmua në javën e 17-të të Premier League, ku Aston Villa arriti një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Manchester United. Të dy golat e fitores u shënuan nga Morgan Rogers, i cili me këtë dopietë vendosi edhe një rekord të veçantë. Ai u bë lojtari i parë i Aston Villas që nga viti 1998 që arrin të shënojë të paktën dy gola në ndeshje radhazi në kampionat, duke hyrë kështu në historinë e klubit.











