Chelsea ka bërë të ditur se ka regjistruar humbjen më të madhe para taksave në historinë e Premier League, me një deficit prej 262 milionë paundësh për sezonin 2024-25. Kjo shifër kalon edhe rekordin e mëparshëm negativ të Manchester Cityt, që në vitin 2011 kishte raportuar humbje prej 197.5 milionë paundësh.
Kjo vjen edhe pse klubi londinez siguroi të ardhura prej 490.9 milionë paundësh, që sipas vetë Chelseat përbëjnë totalin e dytë më të lartë në historinë e klubit. Gjatë sezonit, “Blutë” fituan Conference League dhe Kupën e Botës për Klube, ndërsa e mbyllën kampionatin në vendin e katërt në Premier League.
Pavarësisht humbjeve të mëdha, Chelsea këmbëngul se mbetet brenda rregullave financiare, përfshirë Profit and Sustainability Rules. Klubi ka shpenzuar më shumë se 1 miliard paund për transferime që prej ardhjes së BlueCo në vitin 2022, duke investuar kryesisht te lojtarë të rinj me kontrata afatgjata. Në bilanc kanë ndikuar edhe gjobat, si dhe zhvlerësimet financiare për lojtarë si Raheem Sterling dhe Mykhailo Mudryk.
Drejtuesit e klubit besojnë se bilanci i ardhshëm do të jetë më pozitiv, falë të ardhurave shtesë nga Champions League dhe nga triumfi në Kupën e Botës për Klube. Megjithatë, mbetet shqetësim fakti që Chelsea po humbet terren financiar ndaj rivalëve të mëdhenj, sidomos për shkak të stadiumit me kapacitet më të vogël dhe presionit nga rregullat e reja për shpenzimet e skuadrës.












