Chelsea ka vendosur të lërë jashtë Enzo Fernandezin për dy ndeshjet e ardhshme, pasi deklaratat e tij për të ardhmen te klubi nuk janë pritur mirë nga stafi dhe drejtuesit. Sipas BBC, trajneri Liam Rosenior konfirmoi se mesfushori argjentinas do të mungojë në çerekfinalen e FA Cup ndaj Port Vale, si edhe në ndeshjen e Premier League kundër Manchester Cityt më 12 prill.
Rosenior u shpreh i zhgënjyer nga mënyra si foli lojtari pas eliminimit të Chelseat nga Champions League. Fernandez kishte deklaruar se nuk e dinte nëse do të vazhdonte në “Stamford Bridge” sezonin e ardhshëm, ndërsa më herët kishte thënë gjithashtu se do të dëshironte të jetonte në Spanjë dhe se Madridi i kujtonte Buenos Airesin. Trajneri theksoi se ka respekt të madh për Enzon si lojtar dhe si person, por shtoi se ai “e kaloi vijën” në raport me kulturën që klubi po përpiqet të ndërtojë.
Sipas BBC, Rosenior bëri të qartë se ky vendim nuk është marrë vetëm prej tij, por në një linjë të përbashkët me drejtuesit, pronarët dhe vetë grupin e lojtarëve. Gjithsesi, ai sqaroi se dera nuk është mbyllur për Enzon dhe se bëhet fjalë për një sanksion, jo për një përjashtim përfundimtar. Mesazhi i trajnerit ishte i qartë: në momente të vështira, skuadra ka nevojë për më shumë stabilitet emocional.
Në të njëjtën kohë, edhe Marc Cucurella kishte lënë të kuptohej se një rikthim te Barcelona mund të ishte i mundur në të ardhmen, megjithëse më pas sqaroi se aktualisht është i lumtur te Chelsea. Skuadra londineze po kalon një periudhë delikate, pasi humbi katër ndeshje radhazi mes 11 dhe 21 marsit, përfshirë edhe eliminimin e rëndë nga PSG në Champions League. Aktualisht, Chelsea renditet i gjashti në Premier League dhe është gjashtë pikë larg vendit të katërt.











