Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani është pyetur në Kuvend nga deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi, lidhur me hetimet për aferën e dyshuar të Aeroportit të Vlorës dhe rolin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku në këtë proces.
Në pyetjen e tij, Këlliçi parashtroi se projekti i Aeroportit të Vlorës është kryer në një “garë fiktive”, ku sipas tij, kompani të caktuara janë përdorur vetëm për të plotësuar kriteret formale të tenderit dhe më pas janë tërhequr me miratimin e vetë qeverisë.
“Çfarë duhet të ndodhë më shumë që të arrestohet Belinda Balluku, e cila rezulton se ka firmosur miratimin për tërheqjen e kompanisë fiktive turke, ndërkohë që ajo ishte e vetmja që plotësonte kriteret e garës koncensionare dhe kompania në një investim që sjell miliona euro fitim në një vit, ka shitur gati gjysmën e aksioneve, 40%, vetëm për 4450 euro”, pyeti Këlliçi.
Në përgjigje, kreu i SPAK konfirmoi se hetimet për çështjen e Aeroportit të Vlorës janë në zhvillim, por theksoi se nuk mund të jepen detaje.
“Ju përmendët Aeroportin e Vlorës dhe çështje të tjera, unë nuk mund të jap shpjegime dhe informacione për çështje të cilat janë ë fazën e hetimit paraprak,” deklaroi Dumani.










