Më 11 dhjetor 120 ligjvënësit e Republikës së Shqipërisë do të mblidhen në Kuvend për të miratuar nen për nen projekt-buxhetin e propozuar nga qeveria për vitin 2026 si dhe paketa fiskale.
Më 83 vota pro dhe 32 kundër, projekt-buxheti u miratua në parim më 20 nëntor, ndërsa në seancën e radhës, 8.8 mld euro të parashikuara për vitin pasardhës dhe 8 projektligjet e Paketës Fiskale, do të kalojnë për miratim në Kuvend nen për nen.
Në seancën e radhës plenare maratonë, të përfshira në rendin e ditës janë 13 projektligje si dhe dy interpelanca të kërkuara nga dy deputetë të opozitës.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka kërkuar interpelancë me ministrin e Kulturës Blendi Gonxhja, ndërsa Agron Shehaj i Partisë Mundësia, ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama. Shehaj kërkon nga kryeministri Rama shpjegim për kritetin e përzgjedhjes së banesave të shembura në Theth apo bregdet, teksa e argumenton kërkesën e tij në bazë të numrit të madh të ndërtimeve pa leje. Mbetet për tu parë nëse Rama do t’i përgjigjet me prezencë kërkesës së Shehajt.
Në rendin e ditës gjithashtu do të kalojnë për shqyrtim apo votim dhe 6 kandidaturat për Avokatin e Popullit si dhe kërkesa e demokratëve, të cilët duan që t’iu njihet tërheqja e firmave që i kanë dhënë këtyre kandidatëve si një kriter i domosdoshëm për tu përfshirë në garë.
Tjetër pikë në rendin e ditës është dhe mocioni për debat i kërkuar po nga opozita lidhur me rekomandimet dhe konkluzionet të dala nga raporti final i OSBE-ODIHR.










