Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia e Bulqizës, pasi dyshohet se furnizoi automjetin me karburant dhe u largua pa kryer pagesën, duke rrezikuar jetën e punonjësit të pikës së karburantit.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 21 shkurtit 2026, në një pikë karburanti në Shupenzë. Sipas Policisë, i riu është paraqitur me një automjet tip “Benz” dhe, pasi ka furnizuar mjetin me naftë, është larguar me shpejtësi pa paguar shumën përkatëse, duke vënë në rrezik edhe jetën e punonjësit të karburantit.
Menjëherë pas kallëzimit të bërë nga punonjësi i pikës së karburantit, Forcat e Posaçme “Shqiponja” pranë DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i reagimit të shpejtë, administrimit të pamjeve filmike dhe provave të tjera, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit A. Xh., 28 vjeç, banues në Bulqizë. Sipas të dhënave zyrtare, ai është dënuar më parë në Itali për grabitje dhe është dëbuar për 10 vite nga ky shtet.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti i përdorur në ngjarje, si dhe një kapuç në formë maske.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.










