Britania e Madhe planifikon t’i paguajë Maqedonisë së Veriut për çdo emigrant të paligjshëm që kjo e fundit pranon, sipas një raporti të “The Times”.
Qëllimi i marrëveshjes është ulja e kalimeve të paligjshme përmes Kanalit të La Manshit, një prioritet i kryeministrit britanik Sir Keir Starmer.
Nëse marrëveshja formalizohet, emigrantët e kapur në Britani do të dërgohen në Shkup, ku mund të kërkojnë azil.
Ata nuk do të qëndrojnë në qendra rikthimi dhe do të kenë lirinë të lëvizin, madje edhe të largohen nga Maqedonia e Veriut nëse dëshirojnë.
Mekanizmi synon t’i nxisë emigrantët të kërkojnë azil dhe të marrin viza pune në sektorë me mungesa, si ndërtimi.
Eksperti Dr. Andi Hoxhaj nga King’s College thotë se këto qendra janë tërheqëse si për Britaninë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut.
Britania synon gjithashtu t’i ofrojë Shkupit garanci sigurie përballë kërcënimeve ruse, një stimul shtesë për të pranuar marrëveshjen.
Edhe Kosova ka nisur bisedime për një marrëveshje të ngjashme, por kryeministri Albin Kurti tha se vendi ka “kapacitete të kufizuara”.
Shqipëria ishte ndër të parat që u kontaktua, por kryeministri Edi Rama e refuzoi ofertën gjatë vizitës së fundit të Starmer në Tiranë.
Mbetet për t’u parë nëse Maqedonia e Veriut do të përfitojë financiarisht dhe nëse qytetarët e saj do të marrin lehtësira për vizat britanike.
Në këtë kontekst, Shqipëria mund të ketë humbur një mundësi të favorshme — por koha do ta tregojë se cili vendim ishte më i miri.










